Published On: 19 Maj, 2017

Donkishotizmi utopik e “socialdemokrat” i Albin Kurtit

 Shkruan: Nehat Hyseni

 

Kandidimi i Albin Kurtit për postin e kryeministrit të Kosovës është rezultat apo pasojë e drejtpërdrejtë e një politike, pak a shumë “retarduese” të Lëvizjes Vetëvendosje, që tani, me rastin e kandidimit për zgjedhjet parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, u regjistrua si “parti politike”. Pra, Albini u kandidua për kryeministër, jo pse mendon dhe shpreson se do t’i fitoj këto zgjedhje, sepse e din fuqinë reale politike të VV, dhe se nuk ka gjasa për fitore. Përkundrazi, kjo vjen si pasojë e “ikjes së trenit” apo humbja e afatit për arritje dhe regjistrim të koalicionit qeverisës me asnjë parti politike, që kishte afat deri në orën 24 të nesnatês së 16 majit 2017. Sepse, paaftësia evidente e kësaj partie për të marrë vendime të shpejta dhe për të reaguar dhe reflektuar konform ndryshimeve dhe rethanave dramatike, u pa jo vetëm tani, kur mbeti si parti e vetmuar. Plogështia vendimmarrëse e Vetëvendosjes u pa edhe në zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, kur edhepse tē nesërmen, më 9 maj Albin Kurti doli me propozimin për formimin e Bllokut “Anti PDK”, VLAN, megjithatë, Vetëvendosjes iu deshtë tre muaj të plotë, dmth deri më 10 shtator 2014, për marrje të venfimit për bashkëngjitje ndaj bllokut që e propozoi pikërisht kryetari i saj. Kjo flet qartë për adoleshencë, “axhamillëkun” apo papjekurinë e kësaj partie politike, që akoma as vet kreu i saj nuk e kanë të qartë se çka është realisht Vetëvendosja, lëvizje shoqërore apo parti politike? Kjo papjekuri politike e saj është pasojë e ambicieve të tepruara të këtyre adoleshentëve politik që personifikohet tek udhëheqësi shpirtëror e karizmatik i saj, Albin Kurti dhe ambiciet e tij donkishoteske të luftës “socialdemokrate” kundër të gjithëve! Karikaturizmi i veprimeve avantureske e kriminale të tyre me gaz lotësjellës e me maskarallëqe të tjera të Vetëvendosjes për rrëzimin dhe djegjen e gjithçkafes, paraqet koncept të pastër të filozofisë politike bolshevike leniniste, sipas të cilës pushteti mirret vetëm me luftë. Pra, Albin Kurti përpiqet që me rastin e njëqindvjetorit të Revolucionit të tetorit të vitit 1917 në Rusi, të na instaloj “Republikën e Tretë” të Kosovës, të udhëhequr prej tij si kryeministër, pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017. Natyrisht, këtë filozofi të tyre leniniste, Vetëvendosja e arsyeton, apo më mirë me thënë, e kamuflon me profilimin apo “orientimin socialdemokrat” të saj. Kurse, partitë socialdemokrate të fillimshekullit të kaluar ishin pararendëset apo paraardhëset e revolucioneve socialiste dhe partive komuniste, që realisht kishte joshur lëvizjet majtiste dhe turmat popullore, për shkak të proklamimit të “drejtësisë dhe barazisë sociale” dhe zhdukjes së klasave. Me këtë rast, asokohe pothuajse askujt, përveç “revizionistëve” dhe “disidentëve” politikë, nuk u kishte shkuar nendja se kjo “liri dhe barazi” e premtuar sociale, pas disa dekadash do të përfundonte në regjime totalitare e jodemokratike që shkaktuan dhjetra e qindra miliona viktima të pafajëshme dhe vuajtje e skamje të pafund. Prandaj, fjalët e “ëmbla” e përplotë “drejtësi, vëllazëri e barazi”, si dhe fjalimet e shkëlqyera e “brilante” të Albin Kurtit sot në Kosovë, na e glorifikojnë “Republikën e Tretë” të Kosovës ashtu si bolshevikët leninistë dhe paraardhësit e baballarët e revolucioneve të dikurëshme socialiste. Ato mund të duken joshëse dhe rrezatimi e “shkëlqimi” i “shoqërisë së përkryer” që ofrojnë, mund t’ia verboj sytë ndokujt aty-këtu. Por, megjithatë, përvoja e hidhur, që e kemi akoma të freskët në plagët tona akoma të pashëruara dhe të pashlyera nga kujtesa popullore, shumë vështirë do i mobilizonte masat dhe do u rrëmbente zemrat dhe votat e qytetarëve të Kosovës sot. Mbase, me “ikjen e trenit” të regjistrimit të koalicioneve politike më 16 maj, që realisht ishte një lojë nervash dhe kumari politik, që befasinë ndaj kundërshtarit apo rivalit të tij politik e mbështetë tek tinëzia, Vetëvendosjes nuk i mbeti mundësi tjetër, përveç se t’i bashkëngjites listën e kandidatëve me koalicionin LDK-AKR. Kjo i binte se Vetëvendosja duhej të shkrihej si subjekt politik, duke garuar me emrin e këtij koalicioni. Prandaj, meqë mbetën praktikisht jashtë lojës ose garimit me emrin partiak, Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit realisht nuk i mbeti zgjidhje tjetër, pos që të garojnë si humbës, si parti e vetme dhe që Albin Kurti të kandidoj firmalisht, në një garë të humbur për postin e kryeministrit. Kështu, deklarimet e pretendimeve të tija për instalimin e një qeverisjeje të mirëfilltë “antikrim e antikorrupcion”, edhe kësaj radhe mbeten si utopi dhe vetëm dëshira donkishoteske, pa asnjë shpresë për fitore dhe për t’u bërë realitet. Realisht, sado që duket paradoksale, këto veprime kontraverze të tyre dhe mosarritja e bashkëngjitjes së Vetëvendosjes koalicionit LDK-AKR, paraqet mbështetje indirekte, por reale ndaj fitores së koalicionit PDK-AAK-Nisma, që aq shumë e kritikuan dhe e cilësuan si koakicion i krimit, korrupcionit dhe të së keqes së Kosovës. Sepse, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e drejta për postin e kryetarit të Kuvendit i takon partisë apo koalicionit që ka më së shumti vota. Pikërisht, kjo klauzulë kushtetuese ishte shkak i zhagitjes gjashtëmujore të formimit të mazhorancës qeverisëse nga zgjedhjet e 8 qershorit 2014, si dhe kontestimit nga Kushtetuesja të zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar të Kuvendit të Kosovës nga koalicioni VLAN, që kishte shumicën në Parlament.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...