Published On: 20 Gusht, 2017

Diplomaci agresive polivalente serbe

Vuçiq, këmbana e parë e politikës dhe diplomacisë serbe në dy boshte, meSHTEG PËR TË RRËSHQITUR”, dhe “FITORE PA KONFLIKT”.

GENC DRINI

Historia zhvillohet në një moment. Po nuk ndalet. Vijon në momente të tjerë që vinë në vazhdimësi në radhë njëri pas tjetrit gjithnjë me një fytyrë tjetër të pa pritur që habit dhe më parashikuesit. Politikan është ai që e kupton se dhe ai vetë është destinuar vetëm për një moment, vetëm për atë që ka përpara dhe jo më, dhe e shfrytëzon maksimalisht për interesat e vendit të vet. Pas tij për momentin tjetër vjen një tjetër individ dhe një tjetër klasë politike. Po politikani i vërtetë e di që sho qëria njerëzore është në proces ndryshimi të vazhdueshëm, për çfardo veprim që bën dhe çfardo vendim që merr në momentin e “tij”, lë një shteg të hapur për të vepruar ndryshe sipas interesave të vendit të tij nesër në momentin tjetër që mund të jetë krejt ndryshe. Prandaj në çdo aksion të “momentit politik”, më i rëndësishmi është shtegu, që nuk i mbyll rrugën së ardhmes që është krijuese situatash.

Pikërisht këtë bën dhe Presidenti i Serbisë A. Vuçiq në letrën që para pak ditësh u drejtoi serbëve për të nisur një dialog në mes vedi për mënyrën si e mendojnë serbët zgjidhjen e problemit me shqiptarët. Ai vetë është për marrëveshje por si politikan i vërtetë fillon e lë një shteg të hapur për liri veprimi në të ardhmen. Për shteg dhe aleat merr kohën që mund të sjellë një moment tjetër edhe më të përshtatshëm ku Serbia mund të tërhiqet si të dojë nga gjysmë marrëveshjet a nga paramarrëveshjet që mund të bëjë sot. Jo më kot Vuçiq flet që marrëveshja për tu arritur “do dojë një proces të gjatë, të ndërlikuar dhe të dhimbshëm.” Dhe këtu nënkupton një proces aq të zgjatur në kohë derisa të shihet se cili do jetë në vijim qëndrimi dhe impenjimi i Administratës Trump në këtë anë të Ballkanit. Aq të zgjatur në kohë sa të shihet si do evoluojë qëndrimi i Bashkimit Europian ndaj Kosovës dhe Serbisë. Aq të zgjatur në kohë sa të shihet se a do mbijetojë Bashkimi Europian apo do shpërndahet dhe kjo do kishte efekte dramatike për politikat në këtë pjesë të Ballkanit. Dhe më në fund aq të zgjatur në kohë sa të shihet qartë nëse nga bisedimet me shqiptarët, serbët do kenë fituar dhe përfituar pa konflikt aq sa të përmbushet ambicia serbe dhe interesat e Shtetit Serb! Në fund është bilanci që do përmbyllë gjykimin nëse serbët do ndalen këtu apo do kalohet në etapën tjetër, në përdorimin e forcës. Por mos të kemi iluzione, përdorimi i forcës nga serbët mund të ndodhë në çdo çast nëse niveli i ambicies serbe është shumë më i lartë se niveli i durimit për të pritur kaq gjatë, aq më tepër kur rusët janë aty afër i ndihmojnë me armatime dhe ua “testojnë” tash e parë durimin. Si thelb të letrës së Vuçiqit shohim shtegun që lë hapur në kohë dhe vullnetin për “të fituar pa konflikt” që janë në një unitet mendimi dhe veprimi, të paraqitura në letrën e hapur dhe janë thelbi i politikës së presidentit serb A.Vuçiq. Pikërisht këtë thelb taktik të politikës së Vuçiqit duhet të kenë parasysh shqiptarët para së gjithash. Mendoni se Vuçiq do heqë dorë nga kjo mendësi sepse shtyhet nga nevoja për tu integruar sa më shpejt në BE? Aspak, do ecë paralelisht në dy shinat e tij. Ecja paralel është bërë natyrë e dytë e politikës serbe, ashtu siç mbështetet tek Rusia dhe ndërkohë pretendon për tu integruar në BE.

X

Të tjerat çfarë shkruan në atë letër janë më prozaike, sespe më të njohura dhe të thëna më direkt. Hidhen si tema debati në mes rrymave të ndryshme në Serbi, si paralajmërim taktik ndaj shqiptarëve dhe si mesazhe diplomatike për ndërkombëtarët. Gjithçka në funksion të politikës së fitimit pa konflikt, të shpallur në atë letër nga Vuçiq si moto e politikës së tij. Vuçiq me vizion “të gjërë paqtimi” i fton shqiptarët të bëjnë marrëveshje me serbët dhe të fitojnë së bashku por gjithmonë duke futur duart për të marrë nga xhepi i shqiptarëve. Shqiptarët me filozofinë e së drejtës, Vuçiq me filozofinë e fitimit. Çdo ambicie dhe çdo politikan, përfshirë dhe ato më agresivët do ta lakmonin këtë politikë të fitimit maksimal në rrethana specifike.

Dhe për të mundësuar një politikë të tillë Vuçiq përdor diplomacinë e afrimit. Fillimisht i duhet të lëshojë, se ndryshe nuk e beson kush. Dhe çfar lëshon? “Lëshon” atë që është e shkruar në gjithë librat e historisë dhe dihet nga e gjithë bota. Nis me një pohim historik të dyfishtë, sidoqë dhe ai indirekt, që trojet shqiptare u pushtuan nga serbët dhe që shqiptarët luftuan për mbrojtjen e trojeve nga pushtimet serbe:  “Qysh prej vitit 1878, prej krijimit të së ashtuquajturës Lidhja e Prizrenit, ne serbët nuk kemi dashur të jemi mjaft të përgjegjshëm dhe ta kuptojmë fuqinë dhe dëshirën e shqiptarëve.” Dëshirë?” –Kulmi i një ciniku të pa skrupullt! Nënteksti ëshë që pas pushtimeve serbe të tokave shqiptare nisur nga viti 1897 e në vijim, ekspansionit serb nuk i ka ecur lehtë sepse shqiptarët demonstruan në fillim dhe vazhdimisht gjatë kohërave fuqinë e tyre dhe vullnetin për luftë. Kuptohet për të rifituar trojet e tyre. Mund të shtojmë nga ana e jonë se sot shqiptarët me fitimin e Kosovës e kanë realizuar atë detyrë kombëtare, po ende jo plotësisht. Por shton Vuçiq, pavarësisht nga kjo, në rrethanat e sotme shqiptarët “bëjnë gabim të madh duke moskuptuar dhe nënçmuar tashmë interesat kombëtare e shtetërore të Serbisë, sidoqë në zbatimin e ideve të tyre kombëtare kanë ndihmën e rëndësishme të shumicës së vendeve perëndimore.” Dhe vijon:“Vërtetë zgjidhja nuk qëndron nga njëra anë, në mitet dhe konfliktet tona, por nga ana tjetër, nuk qëndron as në heqjen dorë nga interesat tona kombëtare dhe shtetërore.” Sidoqë e di se është përballë një Kosove të Pavarur, përpiqet të manovrojë për të kapur ç’të mundet në Kosovë, po i eci.”Tregon që ka vullnetin për ti mbrojtur ato interesa dhe shprehet nga pozita kërcënuese force, përkëdhel fajkojt në Serbi, kërcënon shqiptarët, paralajmëron ndërkombëtarët: “Nuk është Serbia sot e molisur, siç ka qenë. Nuk është e dobët siç ishte në vitet 1999, 2004 e 2008.”

X

Këmbana e dytë, ajo shpirtëroro- politike si pjesë e politikës dhe diplomacisë serbe, KURR TË MOS E LËSHOJMË KOSOVËN

Por pa një pa dy, udhëheqësja religjioze shpirtërore e serbëve, Kisha Serbe kërkon ti heq nga dora Vuçiqit të drejtën e projektimit të politikës serbe, kundërshton me forcë çdo ndryshim të ambicies serbe, ngren flamurin e politikës tradicionale agresive serbe kundrejt Kosovës. Është i pari i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku serb Irnej, që e kundërshton në thelb presidentin, dhe deklaron prerë:“Asnjë burrë shteti nuk do të guxojë kurrë tehuazimin e Kosovë-Metohisë..I bëj thirrje shtetasve tanë që ata kurrë të mos japin pëlqimin e tyre për tjetërsimin e Kosovës, sepse çka na është marrë me forcë duhet të kthehet e ajo që dhurohet, humbet përgjithmonë”. (Bota Sot, sipas vecerjni.hr.) Kjo intransigjencë “ e Kishës Serbe “u ngren moralin serbëve” për ti shtyrë në sakrifica të tjera, po vlen dhe taktikisht si demostrim vullneti agresiv serb përballë shqiptarëve dhe fuqive botërore vendosëse. Nuk kuptohet nëse peshkopi predikon religjionin dhe moralin, apo drejton politikën? I takon serbëve të gjykojnë. Po nga qëndrimi politik i Patriark Irinej, shihet se historia e së drejtës mbi territoret ka filluar me dyndjet sllave dhe pushtimin e territoreve ilire dhe në kohët moderne ka filluar në vitet 1897 , vijuar në v. 1912-13, në vitet 1945 e me radhë, pasi serbët lëshuan ushtritë e tyre për pushtimin e territoreve shqiptare dhe etapë pas etape pushtuan dhe morën Kosovën.

X

Këmbana e tretë e politikës dhe diplomacisë serbe, SERBI, “MJAFT ME LUFTË DHE KRIME!.. SERBIA TA PRANOJË DHE NJOHË REALITETIN E KOSOVËS”

Sigurisht Vuçiq e priste reagimin e politikës intransigjente shabllone dritëshkurtër serbe, që është për përjetësimin e pushtimin me të Kosovës, për pasojë dhe vazhdimin e konfliktit. Një qëndrim politikisht jo kreativ, i ngurrtë, ekspansiv i Kishës Serbe, kundër qoftë dhe të fituarit pa konflikt” nëpërmes një marrëveshjeje “kompromisi” si e quan Vuçiq. Prandaj i ka parapri atyre me gjykimin dhe pohimin tronditës, rënqethës se kush e pjell atë lloj politike dhe çfarë sjell:‘modus operandi’ i tiranisë, gjithmonë i gatshëm për të derdhur gjakun e huaj.” Një akuzë rënqethëse për mizorinë, gjakatarinë e politikës standarde serbe në kohëra dhe si përjetësim i së njëjtës frymë tiranie gjakatare., edhe në kohën e sotme. Ai shprehet nëse Serbia do futej në rrugën e luftës do ishte:“një dështim, jo vetëm i politikës që unë udhëheq, por i gjithë jetës sime.” Ne mund ta kuptojmë Vuçiqin kur flet për një dështim të mundshëm politikës së tij nëse do ti hapej rruga luftës gjakderdhëse që ai e sheh të humbur keq për Serbinë, po nuk mund ta kuptojmë kur flet për një dështim të gjithë jetës së tij. Po Vuçiq e di se minarja në thes nuk futet dhe që të tjerët të mos çuditen sesi nga një mbështetës i luftës në administratën e Milosheviçit ka kaluar në pozita më elastike, merr në ndihmë metaforike deri dhe “kafshët” në invers dhe pohon forcë: “Po, unë kam bërë gabime në të kaluarën dhe këtë nuk e fsheh! Unë nuk turpërohem kur them: unë kam ndryshuar. Vetëm gomari nuk ndryshon. Jam krenar, që çdo ditë mësoj rreth kësaj dhe njerëzit më besojnë.”(Bota sot, 31 korrik 2017) Nuk e përcakton se çfar gabimesh ka bërë. Po, nga goditja që ka hanger Serbia në luftë, mund të ketë mësuar se nuk mund të përdorësh luftën për të ruajtur fitime koloniale kur ke rrezikun të sulmohesh nga forca shumë të mëdha siç i ndodhi Serbisë më 1999. Atëherë mund të ketë mësuar se duhet të mbledhësh mëndjen dhe të gjesh rrugë të tjera për të fituar, përveç rrugëve të luftës. Por ama me vështirësi duhet të kërkojmë një vrarje ndërgjegjeje tek ai, sepse dhe atë e ka mësuar mbi gjakun e viktimave të luftës në ish Jugosllavi dhe dështimin e pa dëshëruar serb, por pa dhënë fare llogari për atë që ka bërë, pa kërkuar të falur për çfar ka bërë, dhe pa kërkuar falje të gjithë serbët për çfar kanë bërë, dhe nuk mund ta besojë njeri për ato që thotë dhe për ato që bën. E kur na tregon fuqinë ushtarake aktuale serbe bëhemi dhe më dyshues.

Presidenti i Serbisë Vuçiq kërkon një dialog të brendshëm serb për të përcaktuar frymën në të cilën do ecet përballë realitetit Shtet i Pavarur i Kosovës. Paralajmëron serbët për fitim me rrugën e bisedimeve, po në të njëtën kohë jep dhe konkluzionin politik shterrues se nuk mund të ndiqet politika e konfrontimit me luftë: “Nuk ka Serbia fëmijë për luftë të re me Kosovën, do të ishte fundi ynë”. Kjo duket si klithma e vërtetë e realitetit që jetëson një qëndrim pragmatik në politikën e Shtetit të Serbisë ndaj realitetit, Shtet i Kosovës.

“Të njëjtën gjë pohojnë Akademiku i njohur serb, Oliver Ivanoviç, duke u prononcuar për këtë problem në një intervistë të një gazete gjermane thekson: “Nëse pretendojmë të nisim sërish një luftë të re për Kosovën, pas gjashtë luftërave që na kanë sjellë miliona viktima, ne nuk kemi më ushtri ‘mish për top’, për një kauzë të humbur e që i kemi kundër të gjitha shtetet europiane, e po kështu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Dhe Akademiku i njohur Dusan Kovaçeviç njëlloj, bie dakord me mendimin e Vuçiçit kur thotë. “Nuk kemi më djem për luftë me Kosovën”.

Ja ku është udhëheqësi i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe Vuk Drashkoviç që deklaron haptas se ka ardhur koha që Serbia dhe serbët të mësojnë të vërtetën, dhe pohon ndërgjegjen kriminale të tiranisë serbe së cilës nuk i dhimbet gjaku i huaj. Vetëm në Sarajevë deklaron ai: “Për 3 vjet vramë 12 mijë njerëz, mes tyre 2 mijë fëmijë. E megjithatë “Nuk ka asnjë serb të vetëm që është gjykuar në Hagë, dhe që në sytë e shumicës dërrmuese të njerëzve nuk është hero. Sllobodan Millosheviq është përgjegjës për politikën e humbjeve të tmerrshme dhe krimet. Ministrat e adhurojnë atë edhe në varr dhe thonë për të se ishte zgjedhur nga vetë Perëndia… Dhe kemi të bëjmë dhe me ministrat e Qeverisë së sotme të Serbisë, kryeministër i të cilëve qe Vuçiq dhe ata që marrin pjesë në formësimin e politikave të Serbisë.” (”Bota Sot më: 27 korrik 2017) Edhe njeriu i religjionit, është një me ta, Kryepeshkopi Irinej që kur e pyetën se ku është fshehur Karagjiqi, ai u përgjigj: “Karaxhiqin e mbron vetë Zoti!” Shkrimtari diplomat sërb Drashkoviç deklaron më tej që “serbët janë të bindur që “krime janë bërë, po jo nga serbët”. Për Drashkoviçin kjo duhet të ndryshojë: Serbia ta pranojë dhe njohë realitetin e kosovësPolitika e re duhet të pastrohet nga politika e mëparshme e disfatës dhe krimit dhe të gjitha armiqësitë e luftës duhet të kthehen në miqësi. Sipas tij realiteti është se “pavarësia e Kosovës sot njihet nga pjesa më e madhe e shteteve anëtare të OKB-së dhe BE-së dhe se në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është vendosur se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte shkelje e Kartës së OKB-së dhe as të drejtës ndërkombëtare, as e Rezolutës 1244. “Sovraniteti i Serbisë mbi Kosovës ekziston vetëm në preambulën e kushtetutës së saj. Duke qenë skllevër të këtij realiteti, vendi po vuan humbje të madhe si në politikë e zhvillim”,ka thënë Drashkoviq. (”Bota Sot më: 27 korrik 2017)

X

Këmbana e katërt e politikës dhe diplomacisë serbe, TË PROVOHET ME BISEDIME SIPAS “MODELIT TË ‘DY GJERMANIVE’’, MODELIT QË BËN QË SERBIA TË NISET NË BISEDIME NGA NJË POZICION POSEDUES DOMINANT

Dhe akademiku serb Dushan Prorokoviq nga Qendra për Alternativa Strategjike pohon viktimat e luftave: “ka pasur mbi 100 mijë të vrarë dhe milionë të zhvendosur”. Duke u shprehur për DW ai sheh zgjidhje të mesme që mund të provohet me Kosovën:“Ne nuk e kemi njohur Prishtinën, nuk do të vendosim raporte diplomatike, por Kosova do të legjitimojë statusin e anëtares në OKB, sepse ky është realiteti”. ”.“..ky është modeli i dy Gjermanive për të cilin flitet që nga viti 2008 dhe që nënkupton marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, që duhet të kenë raporte si dikur Berlini Lindor dhe Boni.” (Shënim G.D. -Në shkrimin: “Kundër Modelit të ‘Dy  Gjermanive’’në gazetën Bota Sot dt. 2 gusht 2017 e kemi quajtur atë model bisedimesh krejt të gabuar dhe kundër vizionit dhe interesave shqiptare) Por as kjo sipas Prokoviç “nuk do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës, sepse Serbia do të përballet me probleme shumë serioze”.(“Bota Sot” 27 korrik 2017)

X

Këmbana e pestë e politikës dhe diplomacisë serbe, KUSHTET

Zv/Kryeministri Daçiq:Aktuale apo sido që të jetë, serb apo shqiptarë. Marrëveshja në mes shqiptarëve dhe serbëve është e mundur vetëm me një zgjidhje të qëndrueshme me kompromis, me një status të veçantë për Kishën thonë dhe me bashkësinë e komunave serbe në jug të Kosovës”,përveç asaj në veri, ka thënë Daçiq.( “Marrëveshja me Kosovën, vetëm nëse krijohen edhe komunat serbe”,Bota Sot, 31 korrik 2017)

X

Këmbana e gjashtë e politikës dhe diplomacisë serbe, KJO POLITIKË NUK MUND TË KETË SUKSES

Ndërsa Dushan Janjiq, kordinator i Forumit për Raporte Etnike thotë për DW se “nuk është optimist se ky dialog do të rezultojë me sukses.. Nëse Vuçiqi vërtet do një dialog të mirëfilltë, atëherë duhet t’i qetësojë mediat që ka nën kontroll, ndërsa BIA (shërbimi sekret në Serbi) duhet të ndërpresë diskualifikimet e njerëzve që mund të japin kontribut në dialog.”

 

Këmbana e shtatë e politikës dhe diplomacisë serbe, JO BISEDIME, TË PRESIM SE KOHA PUNON PËR SERBËT     

Paraqesim të tërë qëndrimin e diplomatit Vladislav Jovanoviç, maksimalist ngaqë e sheh problemin gjakftohtësisht vetëm si gjeopolitikë dhe hapsirë veprimi për Serbinë dhe kështu i kundërvihet qëndrimit të Vuçiqit që e paraqet Serbinë të gozhduar para alternativës për marrëveshje të detyrueshme optimale sot me Shtetin e Kosovës. Kërkon ndarje të Kosovës. Ai thotë se “është gabim të supozohet se koha nuk punon për Serbinë.” Përkundrazi mendon ai “koha nuk po punon në favor të forcave perëndimore që e kanë ndarë me forcë Kosovën nga Serbia dhe e kanë ndihmuar atë ta njohin si shtet. Perëndimi ka krijuar një përbindësh shtetëror në zemër të Evropës, i cili nuk njihet nga shteti i Serbisë, një lloj Tajvani,(shënim: nënkuptoni çfarë thotë, ashtu si Taivani është Kinë, ashtu dhe Kosova është Serbi). Interesat e Serbisë nuk duhet të nxitohen për të përfunduar zgjidhjen e kësaj çështejeje, por të presim kur koha i vë në vështirësi sponzorizuesit e pavarësisë së shqiptarëve, dhe kjo do t’i krijonte avantazhe shtetit të Serbisë, shtoi diplomati… Ky rast nuk po e ngarkon vetëm Ballkanin, por edhe marrëdhëniet ndërkombëtare si tërësi, thotë ai. “Në këtë moment, Serbia nuk mund të presë më shumë se sa të konceptohet në mënyrë hipotetike rreth përfundimit të një lloj ndarjeje, duke njohur në të njëjtën kohë Kosovën dhe duke lejuar anëtarësimin e saj në OKB. Kjo sjell rreziqe të mëdha, – shkel anëtarësimin në NATO, sjell shkeljen e konceptit të neutralitetit ushtarak të Serbisë, presion të mëtejshëm për krijimin e një Bosnjë Hercegovine unitare”.( prorokoviç.ina / “Bota Sot” 27 korrik 2017 nën një titull sugjestiv që nuk pasqyron brëndinë: “Gjunjëzohet Serbia: Nuk ka zgjidhje, duhet ta pranojmë pavarësinë e Kosovës”) VIJON

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...