Published On: 20 Tetor, 2016

Dilemat etike në kërkimin shkencor

 

Shkruan: Prof.Dr.Aleksander Koçani

Po t’u referohemi fjalorëve enciklopedikë të tipit të Wikipedia, një dilemë etike është një situatë komplekse që shpesh përfshin një konflikt mendor në dukje ndërmjet imperativëve moralë (në kuptimin që i jep Kanti këtij termi, domethënë si imperativë kategorikë) në të cilin bindja ndaj njërit prej tyre do të shpinte në kapërcimin (apo, lënien mënjanë) të tjetrit. Ndonjëherë të quajtura edhe paradokse morale në filozofinë morale, dilemat etike shpesh janë thirrur me synimin për të hedhur posht një sistem etik apo kod moral apo për të përmisuar atë në mënyrë të tillë që të zgjidhi paradoksin.

Konflikti në dukje midis imperativëve moralë mund të shihet si konflikt apo kundërvenie në dukje ndërmjet parimeve të ndryshme etike të kërkimit shkencor. Kështu gjatë një procesi kërkimi në shkencat sociale mund të vihemi para një situate dilematike lidhur me pranimin dhe respektimin e parimeve të ndryshme të etikës së kërkimit shkencor, të cilat në pamje të krijojnë përshtypjen se kundërshtojnë njera-tjetrën ose vetveten. Mund të përmendim këtu, për shembull, rastin e zbatimit të parimit etik të objektivitetit gjatë realizimit praktik të një kërkimi empirik me anketim në terren.

Në se do të realizonim një anketim me pikësynimin që të njihnim, të themi, opinionin e elektoratit shqiptar për ndonjë problem, apo pritmëninë për sjelljen e tij votuese në rastin e zgjedhjeve të afërta në rang vendi, atëherë do të na duhej, ndër të tjera, që të skiconim një kampionim sa më përfaqësues, në mënyrë që të zvogëlonim sa të ishte e mundur gabimin që bëjmë duke zëvendësuar popullatën në studim me atë pjesë të saj të përzgjedhur me kritere shkencore që përbën kampionimin në fjalë. Po ashtu, për hirë të zbatimit të parimit të objektivitetit, i cili sugjeron që të shmangen edhe njëanësitë gjatë kërkimit shkencor, do të na duhej që, në kampionimin e skicuar, të gjitha stratet (grup moshat, gjinitë etj.) të përfaqësoheshin në po ato proporcione që janë edhe në popullatën në studim. Pra, kampionimi të përbënte, si të thuash, një popullatë studimi “në miniaturë”. Kjo për të shmangur devijancat që vijnë nga “mbikampionimet” e strateve të veçanta. Mirëpo zbatimi i një kërkese të tillë për kampionimin në kuadrin e shmangies së njëanësive në përfaqësimin e strateve të popullatës teorikë në të, jo gjithnjë siguron objektivitetin maksimal të mundshëm e të dhënave të siguruara nga anketimi që përdor këtë kampionim. Kështu, kur duam të masim opinionet që lidhen me parashikimin e sjelljes votuese të elektoratit në studim, në disa raste (në zonat me ndikim të familjeve patriarkale) do të na duhet të heqim dorë nga përdorimi i një kampionimi me strate të tipit përfaqësues, në se ne duam që parashikimi ynë t’i afrohet sa më shumë sjelljes votuese që do të demostrojë ky elektorat në zgjedhjet e ardhshme. Më konkretisht në këto zona, lypset që të zëvendësojmë individët e gjinive dhe grup moshave të ndryshme me individë të moshuar që janë kryetarë familjesh, apo kanë ndikim të madh në fisin e tyre! Pra, të përdorim, “çuditërisht” një kampionim të njëanshëm, për të siguruar të dhëna parashikuese sa më të besueshme dhe më të vlefshme! Në shikim të parë duket sikur ka një farë paradoksi apo kundërshtie logjike në kërkesë: nga njëra anë kërkohet, në emër të sigurimit të objektivitetit të të dhënave, që të shmangen njëanësitë në intervistimin e personave (pra, respektimi i strateve të popullatës në skicimin e kampionimit). Nga ana tjetër, po në emër të këtij objektiviteti të të dhënave të siguruara me anketim, kërkohët që, në të kundërtën, të përdoret një kampionim i njëanshëm (domethënë, që nuk përfaqëson stratet e popullatës, apo nuk përbën popullatën “në miniaturë”). Duket sikur jemi para një situate dilematike për të zbatuar parimin etik të objektivitetit në kërkimin shkencor: Nuk dimë në se do të na duhet të shmangim njëanësitë në kampionim, apo, përkundrazi, të përzgjedhim një kampionim të njëanshëm! Dilema zgjidhet dhe paradoksi në dukje kapërcehet, nëse ne përdorim jo formalisht “matricën” e dallimit “mjet – qëllim” në të dy rastet për të cilat na duhet të bëjmë një zgjedhje “të drejtë” (domethënë, që i përgjigjet kërkesës së objektivitetit të të dhënave që do të sigurohen nga kjo zgjedhje). Kur ne kërkojmë që të përdorim një kampionim sa më përfaqësues të popullatës në studim ne llogaritim që nëpërmjet matjes së opinioneve të personave të intervistuar (kampionimi), të parashikojmë ecurinë e “humorit” të elektoratit deri në ditën e votimit, në funksion të prognozës se si do të votojë ai. Pra, qëllimi është parashikimi i sjelljes votuese të elektoratit në zgjedhjet e afërta, ndërsa si mjet përdoret matja e nivelit dhe strukturës së “humorit” (në kuptimin që i jep këtij termi Ronald Inglehart me anë të përdorimit të të ashtuquajturit “Indikator të Mirëqenies Subjektive”). Por, që ky mjet të lejojë që të arrihet qëllimi në fjalë, lypset që të plotësohet, të paktën, një kusht: Në shoqërinë në fjalë, votuesit potencialë të jenë të lirë që të sillen (pra, edhe të votojnë) në përputhje me bindjet dhe dëshirat e tyre! Mirëpo në zonat ku kanë ndikim të madh familjet patriarkale, ky kusht nuk plotësohet! Votuesit në to do të votojnë jo sipas dëshirës dhe bindjeve të tyre, por sipas “urdhërit” të më të moshuarve që luajnë rolin e kryetarëve të familjeve, apo “kryetarëve shpirtërorë” të fiseve. Prandaj, në këto zona, që të mund të bëhen parashikime të sjelljes votuese sa më afër me rezultatet e zgjedhjeve më të afërta, lypset të pyeten vetëm “kryetarët” e lartëpërmendur. Pra, të maten opinionet apo “humori” vetëm i atyre personave që vendosin për mënyrën se si do të votojnë edhe personat e tjerë që janë nën ndikimin e tyre. Këtu, përdorimi i një kampionimi të tillë dukshëm të njëanshëm, do të siguronte besueshmërinë dhe vleshmërinë maksimale të mundshme të të dhënave të anketimit, sepse do të maten pikërisht ato opinionet apo “humore” që janë vendimtare për parashikin e sjelljes votuese ditën e zgjedhjeve të afërta. Në këtë rast nuk bie ndesh mjeti i përdorur me qëllimin që kërkohet të arrihet, por përkundrazi ai është më i përshtatshmi për të arritur atë qëllim! Pra, zgjidhet dhe dilema në fjalë, apo kapërcehet kundërshtia në dukje e lartëpërmendur.

Një rast tjetër kur na krijohet një dilemë etike gjatë përpjekjeve për të ndjekur parimet etike të kërkimit shkencor është edhe ai i zbatimit të parimit të konfidencialitetit. Ky parim pohon se duhet “të mbrojmë komunikimet konfidenciale si … të dhëna personale apo … të dhëna të pacientëve”. Në kushtet e një shkalle relativisht të lartë të difidencës në shoqërinë shqiptare (matjet tregojnë një nivel të rendit 80-90% e më tepër në disa raste) të premtosh gjatë intervistave konfidencën mbi të dhënat, kur kjo praktikisht nuk fuksionon, apo të kërkosh rrugë tjetër jashtë konfidencialitetit për të siguruar të dhëna të besueshme dhe të vlefshme (Parimi i objektivitetit), kjo është një dilemë që kërkon një zgjidhje. Praktikisht ka një dilemë etike për zgjedhjen midis këtyre dy parimeve në procesin e mbledhjes së të dhënave: ose do të premtosh ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave (personelit, respondentit apo pacientit), por si një “Tjetër” (i panjohur) me shumë gjasë i krijon dyshime dhe pasiguri (për rrjedhojë edhe hezitim apo mungesë sinqeriteti në përgjigje, pra dhe të dhëna jo të besueshme apo të vlefshme), ose do të kërkosh rrugë të tjera për sigurimin e të dhënave të besueshme dhe të vlefshme (parimi i objektivitetit), por duke hequr dorë nga mbështetja vetëm në premtimin e dhënë paraprakisht të intervistuarve për ruajtje të konfidencialitetit të të dhënave!!! Me një fjalë deklarimi i ndjekjes së parimit etik të ruajtjes së konfidencialitetit praktikisht bie ndesh në rastin tonë me ndjekjen e parimit tjetër etik, atij të sigurimit të objektivitetit të të dhënave! Kjo nuk do të thotë aspak se kërkuesi duhet të heqi dorë nga ruajtja e konfidencialitetit të të dhënave të siguruara nga intervistat. Ruajtja e konfidencialitetit të këtyre të dhënave përbën një detyrim moral që duhet plotësuar. Thjesht ai nuk duhet të shpresoj që të marrë të dhëna të besueshme dhe të vlefshme nisur nga deklarimi gjatë intervistimeve se do të ruaj me besnikëri karakterin konfidencial të tyre. Një zgjidhje metodologjike e këtij problemi është që, në se nuk është i nevojshëm identiteti i të intervistuarit (rasti i anketimeve masive), të deklarojë dhe të sigurojë praktikisht që i intervistuari të mbetet anonim. Anonimati në këtë rast është zgjidhja për të siguruar gjatë intervistimeve të dhëna sa më të besueshme dhe të vlefshme, sepse ruajtja e tij e bën të paidentifikueshëm të intervistuarin, duke e nxjerrë kështu “jashtë loje” mosbesimin e tij ndaj “Tjetrit” intervistues. Pra, duke shpallur dhe realizuar praktikisht anonimatin gjatë intervistimeve në anketimet masive, bëhet e mundur që të sigurohet respektimi i parimit etik të objektivitetit gjatë kërkimit shkencor. Ndërsa gjatë intervistimeve të pacientëve nga mjekët është e pamundur dhe e padobishme që të injorohet identiteti i pacientit, sepse procedurat njohëse mjekësore kërkojnë me domosdo referim në historinë e gjendjeve të mëparshme shëndetësore të tij ose/edhe të familjes. Pra, nuk bëhet fjalë për kërkim të ruajtjes së anonimatit të pacientit. I vetmi parim etik i mundshëm që mund të zbatohet në këtë rast është ai i ruajtjes së konfidencialitetit të të dhënave tw siguruara nga intervistimi i tij. Por, në kushtet kur niveli i mosbesimit ndaj “Tjetrit” në shoqëri është relativisht i lartë, ka rrezik real që pacienti “mosbesues” ndaj mjekut të mos jetë i sinqertë (për motive të ndryshme) në dhënien e informacionit të kërkuar. Dhe kjo do të cënonte shkallën e besueshmërisë të të dhënave, pra edhe zbatimin e parimit etik të objektivitetit. Këtu, ndoshta, vetëm një reputacion pozitiv për profesionalizmin dhe integritetin moral të mjekut intervistues, do të mund ta kapërcentë “pengesën” e këtij faktori mosbesues dhe t’i bënte pacientët më të hapur ndaj kërkimit të informacionit personal dhe familjar.

Një dilemë tjetër etike mund të krjohet kur do të na duhet të respektojmë parimin etik të të qenit mentor i përgjegjshëm. Ky parim sugjeron për të ndihmuar, udhëhequr dhe këshilluar studentët, asistentët dhe doktorantët, por duke i nxitur që ata vetë të marrin vendimet e tyre vehtiake. Nga ana tjetër, ky sugjerim etik duket sikur bie ndesh me parmin etik të objektivitetit dhe të qenit të kujdesshëm apo të vëmendshëm. Kjo sepse ka një dilemë se si duhet të veprojë mentori kur studenti, asistenti apo doktoranti që ai udhëheq është futur në një rrugë që mentori e konsideron si të gabuar. Nga njera anë, parimi i mentorimit të përgjegjshëm kërkon që të lihen ata që drejtohen që të marrin vetë vendimet e tyre. Nga ana tjetër, parimi etik i të qenit të kujdeshëm (ndaj gabimeve të pakujdesisë dhe neglizhencës), kërkon që të shqyrtosh në mënyrë kritike jo vetëm punën tënde, por edhe atë të të tjerëve. Pra, edhe atë të personave për të cilët kryen rolin e mentorit. Kështu që jemi para këtij “udhëkryqi dilematik”: T’u njohim të drejtën dhe të lejojmë praktikisht që ata të marrin vendimet e tyre, apo të ndjekim parimin etik të të qenit të kujdesshëm dhe kritik ndaj punës së tyre!!! Këtu zgjidhja vjen në se ne heqim dorë nga determinizmi i logjikës dihotomike aristoteliane të tipit “ose…, ose….”, e cila imponon të zgjedhësh midis dy pohimeve apo, në rastin tonë, dy parimeve etike në dukje të kundërta. Ekzistojnë edhe qasje të tjera logjike ndaj problemit, të cilat operojnë me skemat “ as… , as…” ose “edhe…, edhe…”, që përfshijnë të famshmen alternativë të tretë që e kishte përjashtuar i ashtuquajturi “parim i të tretës së përjashtuar” i logjikës aristoteliane. Më konkretisht, në rastin tonë, të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm e kërkues, por jo t’u imponojmë mendimet tona si mentor atyre që drejtojmë. Me ta duhet të ndjekim një qasje të tipit “negociues” që konsiston në paraqitjen e pikëpamjes tonë kundërshtuese të bazuar në argumenta dhe në qenien të hapur për të debatuar lirshëm me ta lidhur me argumentat dhe kundërargumentat që mund të sjellin ata (me nxitjen tonë). Me që askush nuk disponon monopolin mbi të vërtetën, është mirë që, në se arrihet konsensus për të pranuar njërën nga alternativat që debatohen (apo edhe diçka tjetër), ai të jetë i natyrshëm dhe të vijë nga forca e argumentit, por jo i imponuar me forcën e autoritetit të mentorit.

Në përfundim do të donim të theksonim se të ashtuquajturat “dilema etike” në procesin e kërkimit mund t’i zgjidhim sa në rrugën logjike, duke zëvendësuar qasjen e logjikës formale me një qasje të logjikave konvencionale që marrin në konsideratë rrethanat në të cilat ndodhte problemi i diskutuar (e ashtuquajtura “qasje situacionale”), aq edhe në atë që mbështetet për zgjedhjen në implikimet praktike e metodologjike që lidhen me problemin (“përzgjedhja e të mirës më të madhe dhe të keqes më të vogël”, apo mbështetur në një përcaktim të drejtë të raportit mjet-qëllim ndaj problemit në diskutim).

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...