Published On: 27 Gusht, 2017

Dilema e “superpatriotëve”: feja apo kombi, xhamia apo shkolla?

Shkruan: Nehat Hyseni

Kohëve të fundit është duke u zhvilluar, ose më sakt, pretendohet të na imponohet një debat i nxehtë “superpatriotik”, me tendencë dhe pretendime dashakeqe, duke na imponuar dilemën artificiale midis shqiptarve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës lidhur me atë se: “Çka na duhet më së shumti: xhamia apo shkolla”? Madje, janë imponuar disa “superpatriotë” kujdestarë me shpikje “gjeniale” dhe me porosi “superpatriotike”, se “nuk na duhen kisha e as xhamia, se feja e jonë është shqiptaria”! Pra, kjo i bie se duhet të zgjedhim midis objekteve fetare, pra kishave e xhamiave dhe shkollave. Sepse, të dyjat, dmth. feja dhe kombi, xhamiat dhe shkollat, sipas këtyre “superpatriotëve”, nuk mund të bashkëjetojnë dhe se nuk paraqesin dy shtylla të fuqishme të shoqërisë njerëzore në përgjidhë dhe të shqiptarve në veçanti! Kështu na thonë “superpatriotët”, të cilët me “gjenialitetin” e tyre zbuluan se edhe Krishti na qenka shqiptar. Rrjedhimisht, kush nuk e beson këtë “të vërtetë”, definitivisht është tradhëtar! Madje, shkojnë edhe më larg dhe pohojnë se “të krishterët shqiptarë janë patriotë, meqë nuk e kanë ndërruar fenë” dhe se prej se është kurdisur dynjaja ka ekzistuar krishterizmi, me demek shqiptarët, sepse krishterizmi, sipas tyre është sinonim i shqiptarizmit. Po e përsërisim, që të mos harrojmë të vërtetën e zbuluar nga këta “supershqiptarë”, se Krishti ka qenë shqiptarë edhepse plisin ia paskan rrëmbyer diku tradhëtarët. Sa i përket shqiptarve myslimanë, këta janë tradhëtarë që e harruan “fenë e të parëve” dhe u bënë “turqë” e “arabë”. Për dallim nga shqiptarët e krishterë, të cilët ishin dhe mbetën “trima e patriotë”! Kështu e thonë, apo e nënkuptojnë pandërprerë “superpatriotët” kujdestarë, ditë e natë nëpër media e rrjete sociale. “Superpatriotët” pyesin se si ka mundësi, vallë, që dikush të shkoj në xhami dhe të falet e t’i lutet Allahut, të agjinoj ramazanin e të falet dhe festoj bajramin, të pres kurban e të shkoj në haxhillëk e të vizitoj Qaben dhe të jetë patriot shqiptar?! Ky “diskurs religjioz” i “superpatriotëve”, pra, karakterizohet me shtruarjen e problemit të ballafaqimit të identitetit fetar, sidomos të atij mysliman dhe identitetit kombëtar, duke na përkujtuar vitet e socializmit dhe ideologjisë komuniste në krye me Enver Hoxhën “andej”, si dhe me Titon “këndej” gardhit. Komunizmi, si ideologji “progresive”, i kishte shpallur luftë të pakompris ideologjisë “prapanike” dhe “dogmave fetare”, që sipas babait të socializmit shkencor, Karl Marksit (1818-1883), quhej “opium” për popullin dhe si burim i tjetërsimit dhe prapambeturisë së njerëzimit. Prandaj, Enver Hoxha, si “progresist” e “revolucionar” që ishte, në vitin 1967 ndërseu “rininë revolucionare” në aksionin famëkeq të rrënimit të kishave dhe xhamive anembanë Shqipërisë, si burim i “prapambeturisë” dhe “paditurisë” dhe të regresit. Kështu, Shqipëria u shpall si vendi i parë ateist në botë! Të bindur se e tërë bota është mashtruar dhe droguar me “opium” religjioz dhe me besimin në Zot, komunistët shqiptarë ishin të bindur se e kishin gjetur shkaktarin dhe fajtorin e prapambetjes së njerëzimit në përgjithësi dhe të Shqipërisë e shqiptarve në veçanti. Prandaj, kur e tërë bota mbeti në “terr” dhe në “injorancë fetare”, Shqipëria dhe shqiptarët, të parët në botë u “zgjuan” nga kjo drogë dhe nga ky “opium” dhe hapën rrugën që të vetshpallen si populli më progresiv dhe më përparimtar në botë, me xhaxhain Enver në krye, si ideologun dhe prijësin “gjenial”, më përparimtar, dmth progresiv dhe më të ditur në botë! Natyrisht se këto pallavra e broçkulla komuniste prodhuan varfëri shpirtërore e materiale ekstreme dhe sistem totalitar e diktaturë , që me vdekjen e Enver Hoxhës dhe me rënien e socializmit si sistem totalitar të bazuar në ideologjinë totalitare dhe ateiste, përfundoi në mjerim dhe shpërtheu në ekzod të papaparë drejt botës së “prapambetur” e të droguar nga “opiumi religjioz” dhe nga besimi në Zot. Pra, ekzodi drejtë vendeve kapitaliste të Europës perëndimore, “të droguar” nga besimi në zot dhe religjioni, për dallim nga “kokat e kthjellëta” socialiste e komuniste, dmth. enveriste.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...