Published On: 20 Maj, 2017

Demokracia në kushtet e klientelizmit

Besnik Pula

Historia tregon se klientelizmi si sistem i qeverisjes funksionon më së miri në kushte të sundimit njëpartiak. Rastet shembullore të sundimit të suksesshëm klientelist në kushte të demokracisë janë Partia Revolucionare Institucionale (Partido Revolucionario Institucional) e Meksikës (në pushtet midis viteve 1929-2000), Partia Kongresi Nacional (Congress National Party) e Indisë (në pushtet për 49 vjet nga viti 1947) apo Partia Liberal-Demokrate e Japonisë (në pushtet midis viteve 1955-1993, 1994-2009 dhe sërish 2014-sot). Të gjitha këto parti kanë sunduar me dekada vendet e tyre. Ky stabilitet i ka lejuar këtyre partive kultivimin dhe thellimin e marrëdhënieve të patronazhit në secilën pore të jetës, prandaj dhe shpesh merren si shembuj ilustrativë të qeverisjes klienteliste. Këto sisteme mund të quhen sisteme të klientelizmit njëpartiak.

Përkufizimi i zakonshëm i klientelizmit në shkencat politike përfshin një marrëdhënie të pabarabartë padron-klient, ku padroni përdor pushtetin politik për të ndarë të mira materiale ose privilegje të tjera klientit, në shkëmbim të shërbimeve që klienti i kryen për padronin, përfshirë dhënien e votës. Për shkak se ekzistojnë kryesisht në rrafsh joformal, marrëdhëniet padron-klient janë zakonisht të natyrës personale. Partitë klienteliste zakonisht përbëhen nga hierarki të ndryshme të marrëdhënieve padron-klient. Padroni i lartë ka klientët e tyre, që janë gjithashtu padronë të klientëve të tjerë, e kështu me radhë. Në partitë klienteliste, rangu që një person ka në hierarkinë joformale klienteliste është shpesh shumë më e rëndësishme sesa pozita zyrtare që mban në parti.

Marrja dhe mbajtja e pushtetit politik është synim kyç i partive klienteliste pasi që kontrolli mbi pushtetin (postet publike) jep qasje në të mirat materiale që pastaj mund të shpërndahen përmes rrjetit klientelist të partisë. Këto të mira përfshijnë jo vetëm të mira materiale, por edhe poste publike, vende pune, kontrata, prona, përjashtime ligjore (si nga tatimet), monopole, dhe çfarëdo burimi tjetër të mirash (në gjuhë ekonomike: rentash) që ka në dorë pushteti.

Nëse partia nuk ka burime të tjera të të mirave – e që zakonisht nuk i ka – humbja e pushtetit politik është jashtëzakonisht e dhimbshme për partitë klienteliste. Kjo sidomos nëse interesi personal material është i vetmi që bashkon pjesëtarët e një grupimi politik në parti. Kjo ndodh sidomos kur partia nuk ka ndonjë koherencë të vetën ideologjike ose program politik që i bashkon pjesëtarët e partisë klienteliste përtej interesit të tyre afatshkurtër personal dhe aderimi i tyre në parti është krejtësisht në baza transaksionale. Paradoksalisht, ekzistenca e koherencës ideologjike së një partie në kushtet e demokracisë nuk shihet përmes uniformitetit që pjësetarët e partisë shprehin në besimet dhe opinionet e tyre, por në ekzistencën e fraksioneve brenda saj. Për të përdorë një metaforë nga historia e fesë, fraksionet brendapartiake janë funksionalisht të barabarta me shkollat rivale të mendimit teologjik. Ato nisën nga një bazë e njëjtë parimesh dhe të vërtetash dhe dallojnë në interpretimin e tyre, që dëshmon se fraksionet brendapartiake janë në fakt shenjë se brenda një organizate ka kundërthënie ideologjike, që me një fjalë tregon se brenda tij zhvillohet mendim parimor dhe konceptual.

Në mungesë të ideologjisë, partitë klienteliste i bashkon karizma e liderit. Autoriteti karizmatik i liderit shërben si zëvendësim për koherencën ideologjike të organizatës. Mirëpo, siç e ka vënë re Max Weber-i, karizma si mjet bashkues organizativ është instrument jetëshkurtër. Partitë e varura nga autoriteti karizmatik i liderit mbesin jashtëzakonisht të varura nga ai/ajo për mbijetesën e tyre. Largimi ose vdekja e liderit i lë ato po aq të disorientuara sa partitë klienteliste pa ideologji (ndonëse në raste të caktuara kulti i liderit mund të shndërrohet në ideologji të vetvete).

U tha më sipër se partitë më të suksesshme klienteliste kanë ekzistuar në sistemet njëpartiake. Fjala është për sisteme njëpartiake demokratike, dhe jo moniste (klientelizmi në ato sisteme është i një natyre tjetër, për shkak se shkëmbimet nuk bëhen për vota). Varshmëria e thellë e partive klienteliste nga kontrolli i pushtetit dhe i posteve politike të lë të kuptosh se pse në rrethanat e sistemeve njëpartiake partitë klienteliste mund të kenë sukses: kontrolli politik mbi pushtetit stabilizon rrjetet e patronazhit, i bën ato të kontrollueshme, rregullon qarkullimin e të mirave përmes tyre, vendos rregulla dhe kritere për shndërrimin e një personi në klient, për përjashtim nga rrjeti etj. Me një fjalë, sistemi klientelist shndërrohet dhe funksionon si një minibotë joformale në vete, me rregullat, pritjet dhe ritualet e veta që bashkekzistojnë me sistemin formal politik.

Për këtë arsye, pluralizmi partiak paraqet rrezik të përhershëm për partitë klienteliste. Rivalët politikë kërcënojnë partinë klienteliste me largim nga pushteti, që nënkupton largim nga kontrolli i burimeve që bëjnë të mundur mirëmbajtjen e hierarkive klienteliste. Kjo i kushton partisë klienteliste humbjen e një pjese të mirë të klientelës, sidomos asaj që është pjesë e strukturës për interesa puro instrumentale (të përfitimit personal). Varësisht nga dëmi, kjo mund t’i kushtojë partisë klienteliste destabilizimin e hierarkive dhe rregullave që kanë qeverisur “meritokracinë” klienteliste të partisë. Zvogëlimi i “tortës” stimulon konflikte brendapartiake dhe braktisje të partisë, fillimisht nga oportunistët, pastaj nga klientët më të fuqishëm (që tërheqin pasë vetes nënklientët e tyre). Mbetja sa më e gjatë jashtë pushtetit rrezikon në zhbërjen e plotë të partisë klienteliste.

Ka raste kur një sistem pluralist mund të stabilizohet në mënyrë që të lejojë jetëzgjatjen e partive klienteliste. Forma e parë është kooptimi i partive rivale brenda strukturës klienteliste, duke lejuar rivalët që të përfitojnë gjithashtu nga të mirat e pushtetit, të cilat ia shpërndajnë rrjeteve të tyre klienteliste. Koalicionet e partive klienteliste me parti më të vogla funksionojnë në këtë formë, kur partia e madhe klienteliste akomodon partitë më të vogla klienteliste, në interes të ruajtjes së pushtetit dhe strukturës së përgjithshme klienteliste. Kooptimi bëhet i domosdoshëm kur partisë klienteliste i rrezikohet mbetja në pushtet nga rivalët. Sa më i madh rreziku nga rivalët, aq më e madhe gatishmëria për të akomoduar rivalët në strukturën klienteliste, qoftë edhe me humbjen e një pjese të kontrollit mbi burimet e rentave. Për këtë arsye, në sistemet plurale klienteliste mbizotërojnë oportunizmi dhe koalicionet “e panatyrshme”. Sa më i mangët organizimi partiak mbi premisa ideologjike e programore, aq më i lehtë është akomodimi i rivalëve mbi baza të thjeshta transaksionale që kanë subjekt ndarjen e kontrollit mbi rentat. Partitë “e majta” përnjëherë bëhen “të djathta” dhe anasjelltas, armiqësitë e gjata politike harrohen brenda natës, dallimet e papajtueshme programore e parimore përnjëherë shndërrohen në uniformitet politik.

Por në dallim prej sistemeve njëpartiake, sistemet plurale klienteliste e kanë gati të pamundur institucionalizimin. Ekzistenca e rivaliteteve politike, burimet e kufizuara dhe varshmëria e strukturës dhe e qarkullimeve në strukturën klienteliste në marrëdhënie personale të mirëbesimit, e bëjnë të pamundur përfshirjen e shumicës së popullatës brenda strukturës klienteliste (gjë që në sistemet njëpartiake është e mundur – përmes strukturave formale organizative dhe krijimin e klientelave masive jo në baza personale por në baza profesionale, ligjore, sektorale etj., siç janë mësimdhënësit, minatorët, agrobizneset etj.). Në rastin më të mirë, sistemet plurale klienteliste lejojnë që partia klienteliste të blejë kohë, të ruajë edhe për një mandat kontrollin mbi burimet (rentat), por herët a vonë sistemi shkon sërish drejt destabilizimit. Me një fjalë, në dallim prej sistemit njëpartiak, sistemi plural klientelist nuk mund të institucionalizohet në formë afatgjatë. Rivalëve të brendshëm u rriten apetitet për kontroll të burimeve. Opozita në vazhdimësi ia rrezikon partisë klienteliste mbajtjen e pushtetit. Në ekonomi fillojnë e konsolidohen pushtete të reja, siç janë bizneset e fuqishme, disa nga të cilat mund të mos akomodohen në strukturën klienteliste, e që mund të fillojnë të mbështesin rivalët. Për më tepër, votuesit e pavarur, ata që qëndrojnë jashtë strukturave klienteliste, mund të pezmatohen nga shndërrimi i politikës në një lojë puro oportuniste, që është e pashmangshme në një sistem plural klientelist, të zhgënjehen e të bëhen apatikë, apo të joshen nga ekstremizmat politikë duke dyshuar në vetë demokracinë.

Rrjedhimisht, në dallim prej sistemeve njëpartiake, ku klientelizmi mban në jetë demokracinë formale, sistemi plural fillon të paraqesë rrezik për vetë demokracinë. Ky rrezik vjen si nga poshtë, ashtu dhe nga lart. Nga lart, partia klienteliste nisë të veprojë në forma gjithnjë e më jodemokratike, të mbështesë masa antidemokratike, të ngushtojë hapësirën për pluralizëm politik. Kjo sepse partia klienteliste don që me çdo kusht ta mbrojë kontrollin e pushtetit, nga e cila varet vetë mbijetesa e partisë dhe e pjesëtarëve të saj. Kjo bëhet sidomos imperativ sa më e kriminalizuar është struktura klienteliste e partisë. Nga poshtë, apatia e mbjellë me vite fillon e kthehet në refuzim të vetë demokracisë. Vjen momenti që një sistemi partiak i pluralizmit klientelist përballet me zgjedhjen midis dy rrugëve: në shkatërrim të demokracisë që e mirëmban pluralizmin që e rrezikon sundimin e partisë klienteliste, ose në shpëtim të pluralizmit dhe të demokracisë përmes shkatërrimit (lexo: riorganizimit dhe reformimit fundamental) të partisë klienteliste përmes dëbimit të saj nga pushteti.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...