Published On: 13 Qershor, 2017

 Delja ilire që ka mbijetuar deri në ditët tona, “Syska”

  • Ashtu si indianët krenohen me lopën si një krijesë të Perëndisë, shqiptarët ndoshta mund të mburren me delen. Po. Ekziston një racë në vendin tonë që u ka mbijetuar kohërave dhe ka mbërritur deri në ditët tona.

Është “konsevuar” atje thellë në malet e Polisit në Librazhd. Vendasit e njohin si “Lara e Polisit”. Më gjerë njihet si “Syska”. Sipas gojëdhënave të zonës së Polisit kjo dele është aq e lashtë sa nuk mbahet mend dhe ka shoqëruar banorët autoktonë brez pas brezi.

Ka të moshuar që thonë se ajo vjen nga Iliria dhe është autoktone shqiptare, që me rezistencën e saj ka arritur deri sot. Për specialistët e fushës së blektorisë, “Lara e Polisit” është një racë autoktone që vjen e pastër gjenetikisht nga thellësia e shekujve. Fshatarët e konsiderojnë si bagëti të bekuar sepse ajo u fal atyre gjithë të mirat, që nga bulmeti i shëndetshëm, leshi, lëkurët dhe mishin.

Varieteti i rrallë për fat i shpëtoi edhe çmendurisë në diktaturë kur u krye tufëzimi i bagëtive, por edhe kryqëzimet me raca të tjera me demek për të rritur prodhimin. Edhe gjatë viteve të demokracisë nuk iu kushtua vëmendje e veçantë dhe ishin vetë banorët që e ruajtën racën thjeshtë dhe vetëm për faktin se prodhimet e saj ishin unike. Dy vjet më parë “Lara e Polisit” rrezikoi të zhdukej. Sipas specialistëve të bujqësisë kishin mbetur vetëm 11o krerë. Por dikush u kujtua. Në fakt ishte një iniciativë e specialistëve të drejtorisë së Bujqësisë të cilët ndërmorën një fushatë sensibilizimi për nxitjen e mbarështimit të racës autoktonë. Dhe rezultati ishte befasues.

Për dy vjet raca u shtua në 486 krerë. Banorët shprehen shumë të kënaqur e ndjehen madje krenar për racën e tyre. Ferit Alliu është një ndër rritësit e deles autoktone. “E kemi pasur brez pas brezi këtë lloj dele. është shumë e veçantë pasi na jep shumë qingja dhe e përshtatshme për terrenin tonë të vështirë. Do të vazhdoj të mbaj dele edhe pse fëmijët nuk janë më si ne që kujdesemi. Duhet dhe mbështetje nga shteti pasi vetë e kemi të vështirë ti mbajmë”.

Tashmë që po ia shohin më shumë leverdinë, fermerët po nxitojnë të blejnë delen autoktone “Syskë”. Janë disa familje që kanë nisur mbarështrimin e saj dhe kërkesat vijnë gjithnjë e në rritje. Po kështu mjaft të kërkuara janë prodhimet e deles. Përgjegjësi i Shërbimit Veterinar në qarkun Elbasan, Fatmir Ozuni thotë se numri i fermerëve që po rrisin larën e Polisit është shtuar duke u shtrirë edhe në zonat përreth Polisit. “Aktualisht janë 6 blegtorë që mbarështojnë rracën e rrallë. Mjaft të tjerë janë të interesuar që ta mbarështrojnë.

Drejtoria e Bujqësisë, nëpërmjet shërbimit veterinar, ndjek të gjitha procedurat për ruajtjen dhe zhvillimin e e kësaj race në zonat ku tradicionalisht ka ekzistuar. Kjo racë konsiderohet ende e rrezikuar nga zhdukja edhe pse ka pasur politika mbështetëse për shtimin e numrit të krerëve. Në vijim ne kemi në plan që të mbështesim fermerët me gjithë asistencën e nevojshme e njëkohësisht ti fusim ata në skemat e subvencionimit. Raca ka vlera shkencore dhe pse jo edhe historike”.

Ozuni shpjegon cilësitë e rralla të deles ilire duke theksuar faktin se është mjaft rezistente ndaj sëmundjeve, gjë që e ka ruajtur dhe sjellë deri sot. “Lara e Polisit arrin mesatarisht 30-45 kg me 40 deri në 45 kg qumësht në vit. Ka pjellshmëri shumë të lartë deri në 110%. Shfrytëzon shumë mirë kullotat e zonës nga ku ka marrë edhe emrin”. Aktualisht “Lara e Polisit” është e shtrirë në Polis, Librazhd dhe disa zona kufitare pjesë e bashkisë Elbasan. Kjo pra është raca jonë e deleve e mbarështuar nga të parët tanë Ilirë dhe që kërkon vëmendje të veçantë. Pse jo, kjo pasuri duhet të mbrohet edhe me ligj.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...