Published On: 19 Maj, 2017

Dekriminalizimi i listës zgjedhore, garancë për fitore!

Sami Blakaj

Dekriminalizimi i listës zgjedhore nënkupton listën e deputetëve me duar të pastërta. Në fakt kjo do t’i pamundësonte çdo kandidati për t’u bërë deputet, nëse i njejti ka të kaluar kriminale apo të njejtit i është ngritur aktakuzë gjyqësore.

Këtë kod të dekriminalizimit politik tashmë e kanë të rregulluar vendet e zhvilluara demokratike. Një gjë e tillë është e aplikueshme edhe këtu në vendin ku unë jetoj, përkatësisht në Republikën Federale të Gjermanisë.

Mbi bazën e këtij parimi etik sot funksionojnë edhe shtetet dhe shoqëritë e tjera demokratike. Ky parim i ndërgjegjshmerisë do duhej të jetësohej edhe në vendin tonë, i cili që nga paslufta vuan skajshmërisht nga kriminaliteti politik.

Pikërisht korrupcioni, nepotizmi dhe klientelizmi politik ka bërë që sot Republika e Kosovës të renditet në listën e vendeve më të korruptuara në botë nga Organizata Ndërkombëtare Transparency International. Ajo e vë theksin te kultura e pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në aferat korruptive dhe me institucione të paqëndrueshme për luftimin e kësaj dukurie.

Për më keq, ky nivel i kriminalizimit politik nuk pritet të pësoj rënie dhe nuk pritet të filloj për së mbari as tash e tutje, të paktën as nga këto zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Partitë politike kosovare tashmë janë në fazën përmbyllëse të listave zgjedhore dhe nga ajo çfarë kemi parë deri me sot është se shumë nga të nominuarit për deputet të parlamentit të Kosovës janë persona pa kredibilitet, persona me aktakuza të ngritura gjyqësore dhe me të kaluar korruptive.

Kjo dukuri e shëmtuar kriminale buron nga partitë politike dhe si e tillë është vështirë të dekriminalizohet përderisa brenda vetës ka politikan të kriminalizuar. Ky realitet i hidhur politik fatkeqësisht po e përcjellë Kosovën edhe në këto zgjedhje parlamentare dhe po e rrezikon seriozisht perspektivën evropiane.

Perspektiva evropiane nuk ndërtohet me politikan të së kaluarës kriminale, por me politikan të ndershëm që përfaqësojn vlera evropiane. Rëndësia për të pasur një përfaqësim të tillë është jetike për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Është momenti i fundit kur ne si qytetarë të këtij vendi do duhej të përfaqësohemi nga njerëz me duar të pastërta, nga njerëz që janë gardian të ligjit dhe jo shkelës të tij.

Megjithatë për të arritur deri në këtë nivel të ligjshmerisë, do duhej doemos dekriminalizimi i listës zgjedhore që do t’i sillte Kosovës garancë për fitore.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...