Published On: 21 Tetor, 2016

Çfarë ndodhi sot në rastin ‘Stenta’

Gjykata dështoi sot të krijojë kushte për gjykim normal të rastit më të ndjeshëm në Kosovë- Stenta

Drejtësia kosovare duket se ka nevojë imediate për vendosjen e ‘stentave’ në damarët e zemrës së saj, brenda sistemit të saj. Ndryshe, nëse vazhdohet si sot me improvizime nëpër gjykata, vështirë se do të ketë drejtësi dhe rrahjet e tavolinës nga ai që ndan drejtësinë, nëse nuk krijohen kushtet normale për punë – nëse nuk intervenohet seriozisht, do të vazhdojnë të ngadalësohen çdo ditë. Derisa të pushojë së funksionuari krejtësisht ky sistem.

Siç rëndomë ndodh me zemrën e sëmurë kur asaj s’i hapen damarët e presioni brenda saj rritet – deri në ‘shpërthim’.

Si është e mundur që të mos krijohen kushte adekuate për punë, për vazhdimin normal të seancës ndër më të ndjeshme të zhvilluar ndonjëherë në vend pas luftës, asaj të “Stentave” në të cilën janë të akuzuar mbi 64 vetë, me akuza që ta rrëshqasin trupin nga tmerri, nëse ato vërtetohen në një gjykim profesional dhe të drejtë.

E gjithë vëmendja sot ishte tek Pallati i Drejtësisë, ndërtim i ri që ka kushtuar miliona euro, e ku pritej të niste seanca e rastit të njohur si “Stenta”. Gazetarë, të dëmtuar, familjarë e shumë vetë të tjerë po prisnin me ankth e shqetësim nisjen e këtij procesi gjyqësor, secila duke besuar se një vendim i drejtë do të jetë satisfaksion për ta.

Por që në nisje u pa se nuk ka kurrfarë organizimi e madje as plani pune që garanton gjykim normal të këtij procesi.

Sot nuk kishte sallë për këtë proces. Procesi nisi në një salle krejtësisht të improvizuar të cilën Gjykata Themelore në Prishtinë e shfrytëzon për konferenca. Siç edhe paralajmëroi Politiko.net dy ditë më parë, seanca u shty meqë nuk ishin plotësuar kushtet ligjore.

Në kushtet që ishin ofruar, disa nga të pandehurit kishin vështirësi në frymëmarrje për çka tek një pjesë pas dy orësh nisi të humb edhe durim.

Avokatet kërkuan barazi të palëve në procedurë me Prokurorin i cili kishte kushtet të mira për punë, ndërsa avokatët ishin ulur sikur të ishin në ndonjë stacion të autobusëve. Disa nuk kishin mundësi të dëgjonin meqë për disa shtetas të huaj ishte siguruar përkthyesi simultan. Sipas disa avokateve, prokuroria nuk ka ofruar provat në gjuhën turke, gjë të cilën e pranoi edhe prokurori i prokurorisë speciale duke premtuar se shumë shpejtë do t’i ofrojnë provat në gjuhën turke.

Në kërkesën e avokateve për veçimin e procedurës reagoj prokurori i cili e kundërshtoj këtë kërkesë.

Të akuzuar në këtë rast janë 64 persona, kryesisht punëtorë shëndetësorë të institucioneve publike e private. Kurse shtyrja e seancës është arsyetuar me mungesë të njërit nga të akuzuarit.

Përballë trupit gjykues janë paraqitur ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë Gani Shabani,pastaj ish-drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Gani Bajraktari dhe shumë mjekë e zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë aktakuzë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe kanë lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore, për periudhën 2011 -2015.

Seanca e radhës është caktuar me datën 30 nëntor në orën 09:00. Se a do të plotësohen kushtet për një gjykim te drejte dhe të barabarte mbetet të shihet.

Ajo që dihet tashmë se drejtësia nuk ndahet me improvizime./Politiko.net

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...