Lajmi Levizes Poezi

ÇAMËRIA IME

Begzad Baliu

(Fragmente)

1.

Ti vjen nga fundi i detit si vjen historia

Përmbytjet e epokave nuk më frikësojnë

Nuk je Bajlozi i zi

Nuk jam Gjergj Elez Alia

Çamëria ime

Një natë e gjatë po gdhinë

Ëndrra ëndrrën zë

Dimri dimrin ngrinë

…………………..

2.

Në këtë botë të ashpër

Të gjithë lindin e zgjohen

Mëngjeseve me shpresë

Netëve me trishtim

Jam Kosovë e fitoreve

Në fund të shekullit që shkoi

Je Çamëria e përlindur e shekullit XXI.

3.

Je ara më e pëlleshme në fshatin me furtunë

Ke gjetur lavërtarin më të mirë

Që di të hedh farën në brazë

Çamëria ime

Jam kostari që pret furtunat mbi lumin Bunë

Çamëria ime

Jam lavërtari që përulet mbi brazdën e pëlleshme për çdo kokërr grurë.

Do rritësh ti djem të ashpër

Si fishkëllima e kosës mbi barin zhur

Do rritësh ti vajza të ndrojtura

Si ndrohesha unë kur përulesha mbi gjunjët t’u.

4.

Çamëria ime

Bota thotë je grua e dhunuar

Unë di një fëmijë që luan në prag të detit në qetësi

Ti vjen si valë e harlisur dhe trazon rërën e kështjellës së tij

Unë shoh fytyrën time në guacën që hapet para këmbëve të tij.

Ti je syri që nuk u hap nga vajzat e rëna nga Guri i Filatit

Për Enin e Filatit me sytë e zi

Ti je gjiri që nuk u shter i nënës

Për gojën e vajzës së sapolindur në agimin e vitit 1945.

5.

Çamëri!

Ti vjen nga valë e detit trishtim

Sa shpejt – sa ngadalë-mallëngjim!

Ti vjen dhe shpirtin tim ndriçon

Ti vjen dhe trupin tim pushton!

Ti vjen si valë me drithërimë

Ti del nga thellësia e detit

Psherëtinë!

 

Refren:

Kur vjen dhe shpirtin tim ndriçon

Pse vjen dhe trupin tim pushton!

Çamëria ime të dua

Bota më thotë ti do një fatkeqësi

Çamëria ime qofsha vdekja

Çamëria ime ti je një pavdekësi!

 

Durrës, 25-27 janar 2013

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *