Published On: 27 Tetor, 2016

Braho: Ja pse na duhen prefektë të fortë

Kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho duke folur në seancë plenare në lidhje me projektligjin ‘Për prefektin e Qarkut’, ka theksuar se projekti i ri i ligjit që kemi për shqyrtim e për miratim sot është përpjekja e tretë për ta riorganizuar institucionin e Prefektit.

Teksa ka kërkuar votën e deputetëve për ta miratuar këtë projektligj, Spaho ka argumentuar se ky nuk ka aspak funksionin e uzurpimit të mandatit të kryetarit të bashkisë apo dhe këshillave drejtues. “Në projekt janë bërë përpjekje serioze nga hartuesit e tij për aq hapësira, orientim dhe vizion që u kanë dhënë drejtuesit kryesorë të shtetit. Por vlerësoj se lobimi dhe presioni i Kryetarëve të Bashkive dhe strukturave të tjera në hartimin e ligjit ka qenë më i fortë sesa kërkesat bashkëkohore dhe sugjerimet ardhur nga subjektet e tjera të interesuara siç ishin Prefektët, të cilat kanë lënë gjurmë në nuancat ambigue e formulime të cilat Kryeministri dhe Ministri përgjegjës duhet t’i ndjekin me vëmendje si tendenca për t’ju shmangur kontrollit dhe markimit të përditshëm të punëve të menaxherëve të pushtetit vendor dhe organeve të tjera shtetërore.

Në këtë kuptim duke shprehur opinionin tim, unë them se përsëri ende në këtë ligj ne nuk kemi një Prefekt të fortë të qarkut të veshur me mantelin e deleguar të Kryeministrit, të ngarkuar jo vetëm me kompetenca kontrolluese, por edhe të modeluar në atë mënyrë që ato të zbatohen që të parandalojnë, ndreqin e godasin shkeljet ligjore e paudhësitë e drejtuesve të pushtetit lokal të vetëqeverisjes”, tha Spaho. Ai u ndal edhe më tej duke theksuar se: ‘edhe në këtë projekt mua nuk më figuron që Prefekti do të jetë autoriteti më i lartë shtetëror që kontrollon, legjitimon e noterizon gjithçka, por në veçanti çështjet e rendit dhe qetësisë publike, të sovranitetit shtetëror, kontrollin e territorit, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të popullatës, emergjencat civile, funksionimin e administratës shtetërore dhe emërimin e zyrtarëve shtetërorë lokalë, veprimtarinë e organeve ligjzbatuese, luftën kundër fenomeneve kriminale dhe problematikave të zhvillimeve social-ekonomike. Të gjitha këto, në zbatim të programit ekonomik dhe politik të qeverisë qendrore në nivel qarku’.

“Por gjithsesi, përmirësimet që ka sjellë projekti, do t’i cilësoja si risi në krahasim me ligjin e mëparshëm. Ato rrisin disponimin direkt të Prefektit, në rritjen e cilësisë së shërbimeve që shteti ju garanton qytetarëve, për rregullimin e territorit dhe mbrojtjen e mjedisit, për drejtimin dhe monitorimin e strukturave shtetërore nëpërmjet task-forcave, për eksesin më të madh mbi emërimet e shkarkimet dhe lëvizjet e kuadrove brenda Qarkut si dhe për detyrimin që ata kanë që jo vetëm duhet të drejtojnë dhe bashkëpunojnë me organet ligjzbatuese, por edhe për të paraqitur e denoncuar tek to, të gjitha ato raste të konstatimit të shkeljeve ligjore. Padyshim verifikimi i ligjshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e vetëqeverisjes jo më pak se një herë në tre muaj nga gjashtë, që është në ligjin aktual, është një tjetër novacion që forcon ushtrimin e kompetencave të kontrollit nga ana e Prefektit”, tha deputeti i LSI-së.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...