Published On: 29 Tetor, 2016

Bojkoti i Listës Srpska po pengon funksionimin e institucioneve të Kosovës

Që nga miratimi i Ligjit për Trepçën nga Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit Listës Serbe, e cila përfaqëson bashkësinë serbe në të gjitha institucionet e vendit, kanë “ngrirë” pjesëmarrjen në legjislativin dhe ekzekutivin e vendit. Kundërshtime të hapura lidhur me miratimin e Ligjit për Trepçën kanë shfaqur edhe autoritetet e Serbisë.

Në rubrikën e përjavshme të Radios Evropa e Lirë “Fokus”, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se kanë kërkuar nga Lista Serbe që ta ndërpresë bojkotimin e institucioneve më të larta të vendit dhe i kanë ftuar në takim.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Listës Serbe, thonë se mbeten pranë qëndrimit të tyre, për faktin se me miratimin e Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investime strategjike, nuk janë respektuar interesat vitale të serbëve. Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, shqiptarë dhe serbë, e shohin si të gabuar veprimin e Listës Serbe.

Vazhdon “ngrirja” e pjesëmarrjes së Listës Serbe

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se tërheqja e përfaqësuesve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, e pengon funksionimin normal të institucioneve. Sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka ftuar Listën Serbe në takim, për të shqyrtuar tejkalimin e situatës.

“Ne kemi kërkuar të takohemi me ta. Ata janë ende duke i diskutuar, brenda për brenda, veprimet e tyre. Ne nuk ua kemi vënë lakun në fyt, që vërtet duhet të kemi takim sa më shpejt qëështë e mundur, por do të takohemi me ta kur ata të jenë të gatshëm”, thotë Gecaj.

Por, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Branimir Stojanoviq, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe, pak ditë më parë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se përfaqësuesit e këtij subjekti politik që përfaqëson serbët e Kosovës, ende mbeten pranë qëndrimit që kanë marrë.

Ky është qëndrimi ynë, kur dikush nuk dëshiron që t’i vlerësojë argumentet shumë reale, të cilat thonë se 3 mijë punëtorë të Trepçës nuk janë konsultuar kur dikush ka sjellë vendimin për të. Nuk është biseduar as menaxhmenti për mendimin dhe kërkesën e tyre. Atëherë, si mund të presë dikush që ne të heshtim?”, ka thënë Stojanoviq.

Publicisti Halil Matoshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se themelimi i Listës Serbe me instruksionet e Beogradit zyrtar, që në fillim e ka lënë bashkësinë serbe në Kosovë, pa zërin e tyre të vërtetë. Nisur nga kjo, sipas tij, pas braktisjes së institucioneve qendrore nga Lista Serbe, tashmë bashkësia serbe edhe praktikisht ka mbetur e papërfaqësuar.

“Serbët kosovarë, objektivisht janë të papërfaqësuar në institucionet e Republikës së Kosovës, përderisa është shumë e përfaqësuar linja politike e Beogradit zyrtar. Ngrirja aktuale e pjesëmarrjes në institucionet qendrore nga Lista Serbe, praktikisht, i ka lënë serbët kosovarë pa përfaqësim. Jeta e tyre (serbëve të Kosovës) nuk është përmirësuar për asnjë milimetër prej se kjo listë praktikisht është në institucionet e Kosovës”, thekson Matoshi.

Pasojat…

Por, cilat janë pasojat që mund të burojnë nga mospjesëmarrja e përfaqësuesve të serbëve në institucionet qendrore të Kosovës?

Zëvendësministri Gecaj thotë se pasojat do të jenë edhe për institucionet e Kosovës, por edhe në dëm të interesave të bashkësisë serbe. Kjo e fundit, sipas tij, e cunguar nga përfaqësimi aktual, nuk do të arrijë t’i mbrojë interesat që ndërlidhen me disa veprime tjera që, siç thotë ai, duhet të ndërmerren lidhur me çështjen e Trepçës, pasi që Ligji për të tashmë është i miratuar.

Kjo mungesë, shprehet Gecaj, ngjashëm e dëmton edhe procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe krijimin e statutit të tij.

“Mosprezenca e tyre, te ne i dëmton vetëm proceset, për të cilat nevojiten dy të tretat e votave apo shumica e dyfishtë. Për shembull: ndryshimet kushtetuese, çështja e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, këto janë procese që kërkojnë votën e dyfishtë, pra edhe votën e komuniteteve”.

“Vetëm në ato procese ne na dëmton si shtet. Por, na dëmton gjithashtu edhe në imazhin e Republikës së Kosovës, sepse nëse ne e kemi një komunitet që nuk merr pjesë në institucione, ajo e dëmton imazhin. Por, këto nuk janë arsye që ne tash duhet t’i dëmtojmë interesat vitale, siç është interesi i çështjes së Trepçës”, shprehet Gecaj.

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve në vend, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se dalja e Listës Serbe nga institucionet, nuk është zgjidhje.

Sipas tij, një gjë të ngjashme kishin bërë përfaqësuesit e serbëve edhe në mandatin kur ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, por që, për shkak të proceseve, përfaqësuesit serb e kishin kuptuar se është më e dobishme që të jenë pjesëmarrës. Siç thotë ai, këtë duhet të bëjnë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

“Çdo dalje nga institucionet ndihet, sepse nuk mund të ndikosh në asgjë nëse je jashtë tyre, e sidomos kur je jashtë institucioneve ekzekutive. Në anën tjetër, ne kemi bashkësitë lokale që janë shumë të lidhura me qeverinë qendrore në Prishtinë. Nëse nuk i ke aty njerëzit që janë përgjegjës për zgjidhjen e shumë problemeve, atëherë autoritetet lokale mund të shndërrohen në pengje të një situate të tillë”, shprehet Nojkiq.

Por, zëvendëskryeministri Stojanoviq, është i prerë në qëndrimin lidhur me “ngrirjen e pjesëmarrjes’ në institucione të Listës Serbe.

“Ne u përgjigjemi atyre që na kanë deleguar në institucione dhe atyre u japim llogari. Se a pajtohet populli ynë me vendimin që të mos marrim pjesë politikisht në trupat e tillë, në fund ai do të vlerësojë dhe gjykojë”, thotë Stojanoviq.

Publicisti Matoshi shpreh mendimin se veprimi i Listës Serbe nuk përputhet me vullnetin e Serbëve të Kosovës.

“Tash, realisht, liderët politikë të Listës Serbe, më shumë bëjnë politika në favor të (Aleksandar) Vuçiqit (kryeministër i Serbisë) dhe të Beogradit zyrtar, se sa të atyre që iu referohen, se kinse janë përfaqësues ose të zgjedhurit e tyre”, thekson Matoshi.

Edhe Nojkiq shpreh mendimin se Lista Serbe, aty ku nevojitet vota e dyfishtë, me siguri se do t’i frenojë proceset. Sipas tij, lidhjet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Beogradit, duhet të ekzistojnë.

Por, siç thotë ai, përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës, nuk duhet të bëhen pengje të Beogradit dhe verbërisht të dëgjueshëm ndaj tij.

“Kjo është diçka që nuk i sjell asgjë të mirë, as Serbisë, autoriteteve në Beograd, e as serbëve në Kosovë. Serbët, duhet të jenë të qartë, ta kenë vizionin e tyre dhe zgjidhjet e tyre, t’ia propozojnë zgjidhjet e mundshme Beogradit dhe së bashku me Beogradin të sjellin zgjidhje, por gjithashtu edhe ta ndajnë përgjegjësinë. Po, në këtë mënyrë, më duket se serbët po i ikin përgjegjësisë. Kurdo që ikni nga përgjegjësia, do të jeni humbës të mëdhenj”, thekson Nojkiq.

Pas “ngrirjes” së pjesëmarrjen në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës, deputetët e Listës Serbe i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së marrjes së vendimit për miratimin e Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investime strategjike.(REL)

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...