Published On: 27 Nëntor, 2016

Bleu 6 banesa në Zvicër pa paguar asnjë cent

Një shtetas i Kosovës, 62 vjeçar, ka “blerë” gjashtë banesa pa dhënë fare të holla për to. Banesat së bashku kushtonin rreth 2 milionë euro ndërsa njërën prej tyre ai e ka shitur, duke e lënë “me gishta në gojë” familjen e cila i kishte besuar dhe ia kishte blerë atë.

Në nëntorin e vitit të kaluar ai kishte blerë nga një ndërmarrje e banesave katër banesa që gjendeshin ende në ndërtim në Flachgau dhe dy të tjera tashmë të ndërtuara, në Salzburg.

Edhe pse të gjitha së bashku kushtonin 2.3 milionë euro, ai nuk kishte dhënë kurrfarë garancie bankare. Por ai kishte arritur ta bindte shitësin se në një bankë të Zvicrës e kishte një pasuri të trashëguar prej 27 milionë eurosh. Siç konfirmon një zëdhënës i policisë, kosovari kishte nënshkruar kontratën e blerjes së bashku me shitësin dhe e kishin vërtetuar atë te një noter.

Së shpejti ai ia kishte shitur njërën banesë me 105 metra katrorë një familjeje për 174.000 euro. Ai madje i kishte sugjeruar blerësit që të mos e vërtetonte te notari, në mënyrë që të kursente të hollat që do t`ia kërkonte. Çifti që e kishte blerë banesën i kishte paguar 54.000 euro. Vetë “shitësi” ndërkohë ishte vendosur të banonte në njërën nga banesat , deri sa ishte arrestuar.

Dyshimi i kishte lindur ndërmarrjes së shitjes së banesave kur deri në muajin tetor nuk kishte marrë asnjë cent nga kosovari prej çmimit të banesave të shitura. Ndërkohë hetimet tregojnë se “shitësi” nuk ka pasur fare pasuri të trashëguar por për më tepër ishte i mbuluar nga borxhet, raporton Albinfo.

Përfaqësuesi i ndërmarrjes është dëmtuar me 80 mijë euro që i kishte paguar në emër të lidhjes së kontratave ndërsa familja që e ka blerë njërën banesë ka mbetur pa asgjë. Kosovari tashmë është arrestuar dhe ndaj tij po zhvillohen hetimet nga prokuroria në Salzburg.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...