Published On: 31 October, 2016

Artan Hoxha plas bombën: Në ‘biznesin’ e kanabisit kanë investuar dhe gjyqtarë e prokurorë

Gazetari i “News24”, Artan Hoxha ka publikuar në emisionin “Xhungël” pamje ekskluzive nga dy pista që janë përdorur për trafik droge me avionë në jug të vendit. “Këto dy pista janë përdorur më parë, përgjatë viteve 2013-2014, nga piloti veteran italian Guido Andrea Guidi, i cili u rrezua me 15 shtator 2016 ndërsa inauguronte pistën e re në Grykëderdhjen e Lumit Ishëm”, shkruan Hoxha.

Menjëherë pas investigimit të “Xhungël”, Policia e Shtetit ka marrë masa urgjente dhe ka nxjerrë jashtë funksionit të dy pistat. Pista e parë është në një lartësi mbi 1200 metra mbi nivelin e detit në Malin e Çajupit. Hoxha thotë se sipas informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror, nga ky vend janë kryer fluturime me helikopter.

Ky vend është përdorur si pistë nga piloti italian për trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria për në Itali deri në qershor të vitit 2014. I njëjti grup që ka tentuar ta përdorë në rastin e dështuar në Ishëm, e ka përdorur dhe në raste të tjera për trafik droge. Hoxha thotë se Guido Andrea Guidi ka ardhur dy herë në Shqipëri në vitin 2013 dhe 2014 për të mbyllur “pazaret” e trafikut të lëndës narkotike.

Pista e dytë është ajo e Kardhiqit, e cila është një rrugë pa krye e shfrytëzuar nga trafikantët shqiptarë. Rruga ka një gjerësi prej 13-14 metra dhe një gjatësi prej 1.5 kilometra. Hoxha thotë se trafikantët kanë përdorur fillimisht këto pista në jug të vendit dhe pas operacionit në Lazarat, kanë shfrytëzuar pista të tjera.

Hoxha, fill pas zbulimit të dy pistave për uljen e avionëve të drogës në jug të vendit, njëra në malin Çajup dhe tjetra në Kardhiq të Gjirokastrës, lëshon një tjetër bombë, duke zbuluar edhe vendet ku transporton kanabis Shqipëria, por edhe arsyet pse ka rënë këtë vit çmimi i kanabisit shqiptar në tregun evropian. Hoxha shprehet se shkak për rënien e çmimit është bërë mbiprodhimi, ndërsa shton se këtij “biznesi” i janë futur prokurorë e gjyqtarë, po ashtu edhe biznesmenë të ndershëm.

“Shqipëria ka pasur mbiprodhim. Kjo ka çuar në ulje të çmimit brenda territorit dhe 50% më të ulët edhe në vendet evropiane. Gjithë operatorët e rinj të futur në treg, theksoj se futën edhe biznesmenë të ndershëm që nuk iu ecnin bizneset e tjera, fermerë hallexhinj. Ata nuk i kanë linjat e trafikut dhe janë detyruar të shesin lirë se rrezikojnë të kapen, nuk kanë as ambiente, magazina hangarë, kushte për ruajtjen dhe tharjen e kanabist. Në këto kushte çmimi nga 300 euro ka shkuar deri në 100 apo 70 euro për kg. Në disa vende kanë investuar edhe persona brenda sistemit të drejtësisë, gjyqtarë dhe prokurorë. Ata thonë se të ardhurat i kanë nga investime në bono thesari e bursa on line, por me sa duket duke parë edhe epideminë kombëtare kanë investuar para tek elementë që mbjellin kanabis dhe në fund të procesit marrin përfitim”,- u shpreh Hoxha.

Hoxha tregoi edhe vendet e Europës që sipas tij, i furnizon Shqipëria me kanabis, por edhe sa varion çmimi i lëndës narkotike, kaq shumë të përhapur në vendin tonë, siç tha Hoxha. “Shqipëria furnizon me kanabis Italinë, Greqinë, Turqinë, Gjermaninë dhe më pak vendet Skandinave, atje çmimi i 1 kg arrin deri në 5 mijë euro”. Hoxha u shpreh se çmimi i kanabisit që transportohej nga Shqipëria u rrit kur në treg hyri Turqia, ndërsa shtoi se në Francë: “Shqipëria s’ka pjesë luani. Sipas tij, atje mbizotëron kanabisi i Marokut, ndonëse cilësisht nuk është më i mirë se i Shqipërisë.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...