Published On: 4 Korrik, 2017

Arësyet e rënies së vazhdueshme të PD-së në Shqipëri dhe LDK-së në Kosovë

 

 Nga Skënder S.KAPITI

Partitë diktatoriale dhe ato autoritariste zakonisht në pushtet montojnë regjimin partiak  korruptiv, mafioz, klanor e nepotik ku: ligjin, pronarin e partisë dhe pushtetin politik partiak e shtetëror e bën kryetari,  të afërmit e tij dhe servilët, kasta dhe klanet në shërbim dhe rreth tij. Dhe për pasojë,  pas tij, pas kohës së tij, partinë e pret shthurja dhe vetëshpartallimi.

Kështu ka ndodhur me partitë moniste komuniste të Europës Lindore. Kështu e pësoi Partia Komuniste e Enver Hoxhës dhe po kështu e pësuan  edhe LDK e Kosovës, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe po kështu e pësoi edhe së fundmi PDK e Kosovës.

Konkretisht, sot pas humbjes së dytë të thellë dhe katastrofike të Partisë Demokratike të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare te qershorit 2013 dhe ato te tanishme të 25 Qershorit 2017 si dhe humbjen e të gjitha bashkive dhe keshillave bashkiake në të gjitha njesitë kryesore vendore të Shqipërisë në vitin 2015 tregon se PD e ka humbur gravitetin dhe besueshmerinë politike te votuesit shqiptarë.

Autorët e kësaj disfate janë Berisha, oligarkët dhe elita politike aktuale dështake PD-sw të cilët po mundohen t’ja hedhin fajin njeri-tjetrit.

 Edhe LDK e Kosovës ka pasur në vazhdimësi një rënie të lire humbjeje politike për teposhtë gjithnjë e më shumë  si në parlament ashtu edhe për pushtetin vendor, ku kryetari i saj, Isa Mustafa, pasi humbi drejtimin e Prishtinës dhe për çudi, si për këtë meritë LDK nuk gjeti tjetër por e bëri edhe kryeministër , i cili e çoi LDK-në në një humbje tepër të thellë në zgjedhjet e parakohshme të 11 Qershorit 2017    

Pra, nuk duhet lodhur shumë për të gjetur fajtorët, pasi shkaku i humbjes është rrenimi i PD-së që ka për meritor dhe autor se pari Sali Berishën, i cili, e dirigjoi, e drejtoi dhe e “edukoi” Partinë e Tij Demokratike ashtu si Enver Hoxha Partinë e Tij të Punës (Komuniste) , ashtu sikurse edhe LDK në Kosovë që ka si meritor të humbjes Isa Mustafën, uzurpatorin e saj.

Partitë e tilla, shumica dhe më kryesoret e tyre, si në Shqipëri por edhe në Kosovë ku kryetarët e tyre zgjidhen e rizgjidhen me 99% të votave dhe pa rivalë funksionojnë si, ashtu dhe deri sa të jetojë fizikisht apo politikisht kryetari i tyre sipas parimit:

“ kur themi kryetari kuptojmë partia dhe kur themi partia kuptojmë kryetari”,

që do të thotë se sa është kryetari është edhe partia, dhe pas tij nuk ka as Parti dhe nuk ka as se çfarë të kuptojmë më me partinë e tij.

Kjo ishte fryma e leninizmit politiko-partiak e Partisë Komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik, këtë kishte edhe enverizmi, edhe titizmi.

Po  këtë ka edhe tani berishizmi në PD e Shqipërisë dhe rugovizmi në LDK-në e Kosovës, ashtu si edhe të gjitha partitë e tjera të cilat identifikohen, personalizohen dhe frymezohet nga kryetarët e pasfidueshëm.

Kjo është edhe sot në “demokraci” politika e kryetarëve të partive politike shqiptare. Kjo është trashëgimia që: kur merr fund  bejlerbeu, bajraktari e sulltani i partisë, apo kryetari, siç quhet kryeipari i partisë,  pas tij merr fund edhe partia.

E keqja e Partisë Demokrarike  ishte dhe është autoritarizmi dhe korrupsioni, premtimi i pambajtur dhe mashtrimi. Pa brakisjen e frymës dhe të ndikimit autoritarist berishist dhe të ndarjen prej tij dhe prej korrupsionit  te oligarkisë së PD-së nuk ka rinovim dhe ngritje të PD-së, sepse i pari që nuk e dëshiron një gjë të tillë është Berisha dhe servilët, idhujtarët e tij dhe oligarkët, të cilët: kanë përfituar, vjedhur e grabitur dhe janë pasururar nën bekimin dhe me  mbrojtjen e pushtetit të tij.

Këtë ringritje të PD-së pa Berishën nuk e dëshiron Berisha dhe klanet e shpura përfituese dhe hajdutokracia e vjetër, e vitit 1992-1997,  dhe as ajo “e re”  e viteve 2005 –2013 e Partisë Demokratike, të cilët e mbajnë peng dhe janë dakord që Partia Demokratike edhe të shkatërrohet po qe se ajo u del atyre nga kthetrat, pra, aq e ulët është ligësia e tyre.Dhe prej këtyre ka mbërrituar PD-ja deri në këtë deregje e nuk dihet se si dhe ku do të përfundojë më tutje.

Po kështu  ka përfunduar edhe LDK e Kosovës pas Rugovës, sepse: ishservilët, përfitituesit, të korrupuarit  dhe spekulantët e saj e rrënuan dhe e rrudhën LDK-në nga njëra palë zgjedhje te tjetra, dhe janë dakord që ta çojnë e ta rrënojnë edhe më tej vetëm e vetëm për interesa personale politike, materialiste dhe egoizmi.

Janë të dëshpëruara për t’u rinovuar këto parti edhe me sloganet: në Shqipëri për PD-në, për t’u rikthyer te idealet e Lëvizjes së Dhjetorit , dhe tek të dëshpëruarit e LDK-së në Kosovë për të ripërtërirë rugovizmin.

Këto janë anakronizma  jashtmode pasi, kohët kanë evoluar dhe kanë kaluar mbi 27 -28 vite që nga koha kur u krijua LDK në Kosovë, dhe nga koha kur ndodhën revoltat antikomuniste në Shqipëri në vitet 1990. Shqipëria nuk është sot në Komunizëm e as ajo e viteve 1990, e po ashtu  edhe Kosova  nuk është më nën Serbi, por është Shtet i Pavarur.

Kohët ecin dhe ndryshojnë prandaj ndryshojnë edhe ngjarjet, dhe të tjera gjëra koha kërkon për të zgjidhur dhe jo të kthehemi te vizionet e së shkuarës dhe të mbërthehemi e të kapemi pas idhujve.

Ky është vetëm disfatizëm dhe justifikim për të justifikuar apatinë, paaftësinë dhe mosangazhimin, përtacinë dhe egoizmin. Duhet guxim dhe veprim konkret në kushtet e rrethanat që kërkon koha.

Nga e shkuara duhet të mësojmë e të marrim përvojën e mirë që gabimet të mos përsëriten, por ama më shumë e shkuara i takon së shkuarës dhe historisë.

E tashmja ka dhe sjell realitete të reja të cilat kërkojnë veprime dhe zgjidhje të reja duke ndëshkuar dhe braktisur të dëmshmen, dëmqarët e zullumqarët edhe të politikës , edhe të pushtetit. 

Zgjidhjet e sotme  që i kërkon moderniteti, mirëqënia, demokracia dhe integrimi  nuk bëhen as me mendësitë, as me heronjt dhe as me ngjarjet e së shkuarës.

Kohët moderne sot flasin, kërkojnë dhe kanë nevojë  për reforma dhe për reformime te panderprera për politikën, demokracinë, progresin dhe zhvillimin dhe jo për nostalgjira dhe idhujtarizma.

Këto klane që kanë rivalizuar brënda  pushtetit berishist fshihen dhe mbrohen akoma nën hijen e Berishës dhe nuk e “tradhëtojnë” atë edhe për pak kohë, por sapo të fillojë antarësia e Partisë Demokratike që ta braktisë berishizmin, dhe po këta, servilët e halabakët  e ishpushtetit  të Berishës pastaj, por edhe tashmë kanë filluar  të konvertohen në antiberishistë dhe do të bëhen të tillët shumë të flaktë; ashtu sikurse  u bënë edhe enveristët dhe komunistët më të zellshëm të Enverit, të cilët u konvertuan në “demokratë” si antienveristët më të mëdhnj  pas rënies së komunizmit dhe rrënimit të Partisë së tij.

Kështu siç është katandisja dhe  realiteti i PD-së së Shqipërisë dhe  i LDK-së së Kosovës , ato po nuk u reformuan realisht dhe rrënjësisht edhe mund të reduktohen  me tej në relike politike që kurrë nuk mund të vijnë në pushtet si shumicë ndonjëherë .

 

                                                 

 

 

 

 

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...