Published On: 27 Maj, 2017

ARBËRESHË E ULQINAKË – VËLLEZËR TË NJË GJAKU…

Reportazh

Displaying 1.E.Lakuriqi.jpg

Nga: Eltona Lakuriqi

1.

Edhe pse ka kaluar mesnata, salla e madhe e hotelit “Albatros”, në bregdetin tërheqës të Ulqinit, ka një gjallëri disi të veçantë. Njerëz të veshur me kostume kombëtare, Pierpaolo në fizarmonikë, dikush tjetër në dajre, Suadi e Franco që këndojnë, Lucia e Luljeta që bisedojnë, Imma regjisorja që ende është e shqetesuar për shfaqjen, që do të jepet në sallën e qendrës kulturore të Ulqinit, aktorët që qeshin e luajnë, të gjithë bashkë, përbëjnë një pamje të bukur, nga ato, që ky mjedis  qyteti i Ulqinit e përjetojnë herë të parë. Sepse janë bashkuar së toku, arbëreshë e ulqinakë, vëllezër e motra të një gjaku, që takohen pas 500 vjetësh.
Trupa teatrore e Shoqatës “Vorea”, në Frascineto të Kalabrisë, ka ardhur të japë shfaqjen “Kostantini e Garentina”. Është varianti arbëresh i legjendës së mirënjohur shqiptare, e cila mbijeton dhe emocionon kudo, ku ka shqiptarë nëpër botë. Arbëreshët janë veshur me kostume tradicionale, që i punojnë e prodhojnë vetë. Lucia e Luiljeta, madje edhe djali i vogël i Lulit, janë veshur me kostume ulqinake.
Këngët arbëreshe, ulqinake, shkodrane e korçare këndohen deri në orët e vona. Duket sikur askush nuk ka dëshirë të shkojë të flerë. Sikur janë zgjuar nga një gjumë shekullor e tani duan të fitojnë kohën e humbur. Flitet gjuha shqipe, në variantin e arbërishtes dhe dialekti i Ulqinit. Ndihen të gjithë vëllezër të një gjaku. “Gjaku ynë i shprishur, tani po bashkohet”,-thotë Luçia Martino, “Mjeshtër i Madh”, e cila bën një punë të pasionuar për kulturën e traditat shqiptare dhe i ka çuar grupet e saj edhe në Tiranë e deri në Kanada.

2.

Nga ballkoni i hotelit vështroj atë gji shkëmbor, mbi të cilin përkulen degët e pishave shekullore. Ujët e kulluar ka ngjyrat blu e turkeze, që ndërthuren midis tyre, si ngjyrat e pikturës në një kuadër pejsazhi. Mëngjesi është i bukur dhe në parkun e gjelbër kanë ardhur nxënësit e shkollave. Ndërmjet tyre dalloj gazetarin Ndue Lazri, i cili është zgjuar herët dhe kërkon të rrëmbejë fotot e orëve të para të mëngjesit, të cilat kanë një dritë të mrekullueshme për foto. I pasionuar pas fotove, ai ngjitet e zbret shkëmbenjve, duke futur në fokus pamje të ndryshme, që ky mjedis i ofron, si kartolina të vërteta. Më kishte bërë përshtypje energjia e tij edhe në mbrëmjen e kaluar në sallën, ku do të jepej shfaqja. Regjisorja Imma Guarasci ishte e shqetësuar, se donte që çdo gjë të ishte gati për provën e mëngjesit dhe për shfaqjen para publikut. E, gazetari i ardhur nga Bolonja, si president i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali, që ka bashkëpunuar për ardhjen e këtij grupi në Ulqin, bënte edhe punën e karpentierit, për montimin e skenave, edhe punën e elektriçistit, duke u kujdesur për dritat e skenës, bashkë me anëtarët e tjerë të trupës.
Aktorët zgjohen dalëngadalë dhe marrim rrugën për te qendra kulturore. Rrugët e bukura e karakteristike të Ulqinit janë mbushur me njerëz. Ata na përshëndesin përzemërsisht. Dyqanet me suvenire presin e përcjellin klientë e turistë, që duan të kenë ndonjë kujtim, nga ky qytet i bukur.
Kryetarja e Shoqatës Kulturore “Labeatët”, Luljeta Avdiu-Cura, një grua energjike dhe përherë e qeshur, vjen te salla dhe interesohet, që trupës së teatrit të mos i mungojë asgjë, për suksesin e shfaqjes. Qytetarë të Ulqinit dhe veprimtarë e bashkëpunëtorë të qendrës kulturore vijnë me një farë kureshtjeje, që të shikojnë përgatitjet për shfaqjen, por edhe të japin ndihmën e tyre të pakursyer, nëse është e nevojshme. Edhe këtu ndihet ajo dashuri vëllazërore, por edhe ajo mikpritje e bukur e ulqinakëve, që është tipike shqiptare.

3.

Ndërsa trupa merret me provat e me përgatitjet, Suad Mehmeti, me disa kolegë të tij, na fton që të vizitojmë qytetin piktoresk. Ata janë krenarë për bukuritë, që ofron vendbanmi i tyre dhe na shoqërojnë në pikat më interesante, në plazhet që kanë filluar të frekuentohen nga turistë e pushues e ku çdo gjë është në gatishmëri për sezonin e ri turistik; kodrave të buta të Ulqinit, me shtëpi të bukura e karakteristike e me rrugë, që gjarpërojnë mes gjelbërimit e luleve të shumta. Pastaj na çojnë te një rruge të drejtë dhe të gjatë, përmes një fushe, që i ngjan një lugine të ngushtë, midis kodrash e malesh. Gjelbërimi është kudo i dendur e shlodhës për syrin. Arrijmë tek Ada e Bunës, një fshat romantik, ndërtuar dy brigjeve të lumit të vjetër, që buron nga Liqeni i Shkodrës, përshkon kodrina e fushat e Bregut të Bunës dhe vjen këtu e derdhet në det.

Kudo shohim lokale të shumtë, që mirëpresin klientë në këtë orë të drekës, barka peshkatarësh, motoskafe turistësh e shtëpitë me ngjyra të ndryshme, nën hijet e pemëve të mëdha, krijojnë një pejsazh, që të fton për të bërë foto të shumta. Këtu miqtë tanë nga Ulqini na ofrojnë bujarisht një drekë me prodhime deti, të gatuara sipas traditës ulqinake dhe një verë të mirë të zonës.
Prej këtu, kthehemi sërish në Ulqin dhe e vazhdojmë udhëtimin turistik, në krahun tjetër, aty ku ngrihet kalaja e lashtë dhe e bukur e qytetit. Pamja e detit dhe e qytetit, nga kalaja, është e mrekullueshme dhe tërheqëse. Nuk di nga ta kthesh më parë aparatin fotografik, për të fiksuar këto pamje të rralla. Brenda mureve të kalasë shohim shtëpi të bukura prej guri, rrugë të ngushta me kalldrëm, që ngjiten drejt majës së kodrës dhe lokale të shumtë, te dyert e të cilëve të ftojnë me bujari të hysh brenda. Secili prej tyre ka një terrace, si ballkon mbi det, nga ku klientët e turistët mund të shijojnë panoramën e qytetit dhe të bëjnë foto të bukura. Klodian Cami, ky djalosh energjik, sipërmarrës dhe veprimtrar i palodhur, që vjen nga Reggio Emilia në Itali, pëlqen foto të veçanta, si ajo duke hipur mbi një traktor të vjetër, që nuk merret vesh si është gjendur këtu brenda kalasë, mbi një motorr të çuditshëm, si ata të kohës së luftës, mbi muret e kalasë apo shkëmbinjtë e thepisur,, që zbresin deri në dallgët e shkumëzuara të detit.
Kështu, duke shetitur e duke u njohur me Ulqinin, na zë ora e mbrëmjes, kur do të fillojë shfaqja.

4.

Salla e mbushur me shikues pret me emocion të veçantë shfaqjen e grupit arbëresh. Ka njerëz, që kanë ardhur edhe nga Tuzi e zona të tjera, sepse Luljeta ka bërë prej kohësh publicitet, për këtë ngjarje të rëndësishme, pra ardhjen e arbëreshëve për të dhënë shfaqje ne Ulqin. Është i pranishëm edhe kryetari i komunës, Nazif Cungu, me familjen e tij.
Para sshfaqjes, këngëtarja dhe aktorja e re, studente arbëreshe, Maria Ferrari këndon Himnin Kombëtar Shqiptar, duke ngjallur emocione të veçanta. Në sallë janë edhe gazetarë e grupe të televizionit lokal, që kanë ardhur t’i regjistrojnë këto çaste të bukura.
Pastaj, legjenda e besës së dhënë shpalos, përmes lojës së bukur të aktorëve, variantin e saj arbëresh. Shfaqja është konceptuar bukur, nga regjisorja Imma Guarasci dhe personazhet janë tipizuar mjeshtërisht nga aktorët. Publiku e ndjek shfaqjen në një heshtje të thellë, deri në fund. E kjo heshtje ndërpritet nga duartrokitjet e nxehta të publikut, të ngritur në këmbë, kur përfundon shfaqja e dramës.
Por shfaqja nuk mbaron këtu. Organizatorët kanë menduar, mirë që ajo të jetë një eprimtari e përbashkët, arbëreshe-ulqinake. Aktorët e dramës ua lënë vendin valltarëve të ansamblit “Ana e Malit”, këngëtarëve Franko Frega, i ardhur nga Lungra e Kalabrisë dhe Pierpaolo Petta, i ardhur nga Piana degli albanesi, në Siçili. Me ta harmonizohet bukur këngëtari ulqinak, Suad Mehmeti. Kësisoj, spektakli vazhdon me pjesën e tij muzikore, duke e bërë emocionuese dhe të paharrueshme, këtë mbrëmje mes vëllezërve të një gjaku.
Organizime të tilla të shkëmbimeve të vlerave kulturore janë ngjarje të rëndësishme, sepse ruajnë e përtërijnë traditat tona të mrekullueshme e të pasura kulturore. Ndaj meritojnë përgëzime: Shoqata “Labeatët” e Ulqinit, Shoqata “Vorea” e Arbëreshëve dhe Federata FNAI, e emigrantëve shqiptarë në Itali, për këtë bashkëpunim e gërshetim, në realizimin e marrëdhënieve të tilla kulturore.

Tiranë, 25 maj 2017 

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...