Kosova

Analistët për idenë e Thaçit: Është lojë politike, nuk obligohet t’i thërras partitë në takim

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi po synon të mbledhë partitë politike parlamentare në një takim të përbashkët me qëllim që të diskutojë një datë të favorshme për tu mbajtur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Por njohës të çështjeve politike në vend, e shohin të paarsyeshme ftesën e Thaçit.

Nexhmedin Spahiu, thotë se presidenti Thaçi po mundohet të bëjë lojë politike me qëllim që të duket sa më faktor.

“Presidenti Hashim Thaçi po mundohet të bëjë sa më shumë lojë politike që me u faktorizu ai si president. Kjo është arsyeja, dhe kjo është në natyrën e tij pasi që të njëjtat gjëra i ka bërë edhe sa ka qenë kryeministër. Ai po tenton që të përfitojë sa më shumë nga situata, dhe me u diskutu rreth asaj dhe me prit se çfarë edhe me faktorizu veten si faktor politik. Në momentin që e bënë dekretimin harrohet puna e presidentit, sepse përqendrohet vëmendja tek qeveria e kështu tek shumë gjëra tjera”, ka thënë Spahiu në një bisedë për Indeksonline.

Nga ana tjetër, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se presidenti Thaçi nuk është i obliguar as me ligj e as kushtetutë që të bëjë ftesa të tilla kundrejt subjekteve politike.

“Me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve prej anës së KQZ-së, i vetmi obligim kushtetues dhe ligjor i presidentit në këtë rast është që të thërrasë seancën konstituive dhe pastaj është kryesia e vjetër që ka obligim që ta bëjë një takim të tillë me përfaqësuesit e partive politike parlamentare dhe me ta bashkërisht ta caktojë agjendën dhe rendin e ditës për seancën konstituive. Pra, si e tillë nuk është dashur që të vijë një ftesë nga ana e presidentit, pasi është e panevojshme. Vendi nuk është në një krizë ku institucionet nuk po mund të konstituohen dhe ku kërkohet ndërhyrja e presidentit. Nëse koalicioni PAN nuk i ka numrat, kjo nuk do të thotë që një shumicë tjetër parlamentare nuk ekziston dhe nuk mund ta bëjë edhe zgjedhjen e kryetarit, edhe të kryeministrit”, tha Krasniqi.

Ndryshe, takimi mes presidentit Hashim Thaçi dhe partive politike parlamentare pritet të mbahet më 24 korrik në orën 10:00 në Kuvendin e Kosovës./Indeksonline/

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *