Kosova

Analistët partive: Qytetarët e kanë kuptuar se po luani me ta, prandaj janë mbi 50 mijë vota të pavlfshme

Zgjedhjet e së dielës në Kosovë kanë rezultuar me një numër të madh të votave të pavlefshme. Mbi 52 mijë sosh kanë shkuar huq duke ngjallur kështu reagime të shumta në nivel vendi.

Në një prononcim për “Indeksonline”, analisti Imer Mushkolaj ka deklaruar se këto vota të pavlefshme janë mësim për partitë politike dhe anëtarët e tyre, se ata nuk mund të luajnë me qytetarët.

Sipas tij, votuesit kanë shprehur mllefin e tyre ndaj secilit subjekt, duke u dhënë sinjal që nuk do ta kenë të lehtë në të ardhmen.

“Ne i kemi pas diku rreth 27-30 mijë, por kësaj here kemi më shumë. Unë besoj që një numër i madh i tyre është votë ndëshkuese, njerëzit e kanë prishur fletë-votimin për shkak të pakënaqësisë me të gjitha subjektet politike në Kosovë. Natyrisht se qytetarët asnjëherë më qartë se tash nuk e kanë thënë se përnjëmend nuk mund të llogarisin politikanët se mund të luajnë me ta, dhe nuk mund të tregohen të papërgjegjshëm dhe arrogant, pavarësisht se sa numra mund t`i kenë. Ky është një sinjal shumë i qartë për partitë politike se nuk do ta kenë të lehtë në të ardhmen ta kenë votën e qytetarëve”, ka thënë ai.
Megjithatë, Mushkolaj nuk e ka larguar krejtësisht mundësinë se qytetarët nuk kanë ditur të votojnë, por personalisht ka thënë se ato vota i sheh si ndëshkim dhe mllef të qytetarëve për partitë.

Ndryshe nga Mushkolaj, njohësi i çështjeve politike, Dardan Gashi është shprehur për “Indeksonline” se organizatat që janë të thirrura për t`i edukuar qytetarët si të votojnë, nuk e kanë kryer punën e tyre.

Si pasojë e kësaj, qytetarët nuk kanë ditur të votojnë dhe votat janë shpallur të pavlefshme.

“Nuk e di a e kanë bërë me qëllim, meqë raportet nuk thonë se e kanë bërë me qëllim. Ka në shumicën e rasteve, që njerëzit i kanë rrethuar kandidatët, por kanë harruar ta rrethojnë partinë. Është problemi te KQZ-ja dhe te dështimi i fushatave të tyre, për t`i edukuar votuesit se si të votojnë”, ka thënë ai.
Sipas Gashit, mbi 52 mijë vota të pavlefshme është numër tragjik, për shkak se kjo u ka humbur rastin të paktën 7 deri në 10 kandidatëve që të zgjidhen si deputetë.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *