Published On: 28 Nëntor, 2016

Ana tjetër e luftës partizane – kontribute në ripushtimin jugosllav të Kosovës


Ramiz Lushaj

I.- KONTRIBUTE NË RIPUSHTIMIN JUGOSLLAV TË KOSOVËS

Shqipëria, në LDB, si pjesë e Koalicionit Antifashist Botëror, ka kontribute të vlersueshme brenda territorit të vet gjeopolitik në qëndresën e luftën kundër fashizmit italian prej prillit 1939 e nazizmit gjerman deri në vitin 1945, kur brigada e divizione të UNÇSh marshuan e luftuan deri në 360 km larg kufijve shtetëror, përtej trojeve etnike shqiptare, deri në thellësi të Serbisë e në Bosnjën Jugore.

Gjatë kësaj lufte antifashiste, në dy vitet e fundit të saj, u ngritën 24 brigada partizane, nga Br. I–S më 15 gusht 1943 në Vithkuq të Korçës e deri tek më e fundmja, Br. XXVII-S më 29 nantor 1944 në qytetin e Shkodrës. Tri brigada partizane, si Br. XIII–S, Br. XXI–S e Br. XXVI–S, nuk arritën të formohen sipas planifikimit. 1 Në muajt e mëvonshëm, disa prej tyre, pas krijimit e veprimeve luftarake, si Br. II–S, formuar më 28 nantor 1943 në Shëngjergj të Tiranës, Br. IV – S, më 28 dhjetor 1943 në Voskopojë të Korçës etj., patën riorganizime për arsye të shpërbërjes edhe nga paaftësia e kuadrove të tyre, sidomos në Operacionin Armik të Dimrit (1944) etj.

Ana tjetër simbiozë e siameze e kësaj lufte partizane: Përveçse ishte luftë antifashiste u kthye tragjikisht e njëkohësisht edhe në luftë civile ndërshqiptare, veçanërisht në vitet 1943-1945, aqsa edhe aleatët anglo-amerikanë ndërhynë disa herë për ndaljen e saj. Pati papërgjegjshmëri historike në trajtimin, mbrojtjen e finalizimin e Çështjes Kombëtare Shqiptare në trojet etnike shqiptare në ish-Jugosllavi duke çuar tragjikisht në ripushtimin jugosllav të Kosovës etj.

Tri herë u adresuan kërkesa në forma të ndryshme nga Komanda e Përgjitshme e UNÇJ, në maj, korrik, gusht 1944 2 për dërgimin e dy brigadave partizane nga Shqipëria në Kosovë. Në 12 shtator 1944, KP i UNÇSH urdhëron nisjen e dy brigadave, 3 si Br. III- S e Br. V-S në tetor të vitit 1943. Në nëntor 1944, nga SHP i UNÇJ, u nis një tjetër kërkesë për të dërguar forca në një nivel më të lartë, në rang divizionesh. Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSh, në nëntor 1943 nisi D.V-S e në dhjetor 1943 D.VI-S.

Në Div. V–S të UNÇSH u rreshtuan tri brigade partizane: Br. III–S, V–S e XXV–S, që gjatë marshimeve e veprimeve luftarake në Kosovë arritën një efektiv në 6.500 partizanë e partizane. Në Div. VI–S të UNÇSH u rreshtuan katër brigade partizane: Br. VI–S, VII–S, VIII–S e XII–S (kjo e fundit, e D. I–S të UNÇSH, pjesmarrëse në luftimet në Malin e Zi), të cilat gjatë rrugëtimit e betejave nga Mali i Zi, në Kosovë e në Maqedoni arritën efektivin në mbi 4.000 partizanë e partizane. Njëkohësisht u dërguan me afat të shkurtër kohor nga një javë e deri në mbi dy muaj e në zona afër kufirit shtetëror të Shqipërisë, si: Br. XXVII – S ( “e Shkodrës”), me një efektiv rreth 1.200 vetë, mori pjesë në luftimet në trojet etnike shqiptare në krahinën e Krajës, në Tivar etj. Br. XVIII–S (e Div. IV–S të UNÇSH) mori pjesë në luftimet në Dibër (shtator 1943), në Kërçovë… në Prizren (nëntor 1944), që kishte në përbërje katër batalione. *)

PKSH e 8 nëntorit 1941 e Qeveria komuniste Shqiptare e 24 majit 1944, liderit e tyre Enver Hoxha (Komandant i Përgjithshëm i UNÇSh e Ramiz Alia komisar politik i D. V-S e ish-presidenti i fundit komunist) me strategjinë e papergjegjshmërinë e tyre historike, kryen aktin e lartë të tradhtisë kombëtare, si pjesë aktive e kontributeve bashkëvepruese për vendosjen e Administratës Ushtarake në Kosovë më 8 shkurt 1945, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇ të Jugosllavisë, J.B.Tito.
Ky Administrim Ushtarak ‘’synonte t`i jepte karakter të organizuar fushatës së terrorit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, të likujdonte revoltën popullore, në rajonin e Drenicës, e cila mund të shndërrohej në kryengritje të përgjithshme t`i detyronte Shqiptarët të pranonin përfshirjen në Federaten Jugosllave të pasluftës, të spastronte përbërjen kombëtare të organeve politike e të pushtetit në Kosovë nga Shqiptarët atdhetarë’’4

I. – Dërgimi i formacioneve partizane të UNÇSH (vet)ndihmoi në “zbrazjen” e Kosovës nga çlirimtarët e saj, pasi mbi 40 mijë shqiptarë u dërguan drejt masakrës së Tivarit, Sanxhakut, Bosnjes, Kroacisë, Sllovenisë etj.
1.- Në mars të vitit 1945 numri i përgjithshëm i forcave partizane të UNÇSH të dërguara në Kosovë… arriti në mbi 13.000 partizanë e partizane.
Ndërkohë nga 12.970 deri në 13.323 vetë është numri i shqiptarëve të mobilizuar dhunshëm nga trojet etnike shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, etj. që në gjashtë kolona (eshalone) në mars–prill 1945 u dërguan nga vëndpërqëndrimi në Prizren (Kosovë) në drejtim të Tivarit… në Mal të Zi.
2.- Ndërkohe që në nëntor–dhjetor 1944 hynë në Kosovë, në Malin e Zi e në Maqedoni brigadat e divizionet e UNÇSH , me urdhër të Shtabit Suprem të UNÇ të Serbisë dhe të Shtabit Kryesor të UNÇJ për Maqedoninë, në fillim të janarit e në shkurt 1945 nisën udhën për në veri të Jugosllavisë Br.VI, VII e VIII e Kosovës dhe Br. IV-S Shqiptare në Maqedoninë Perëndimore (e cila, më 7 janar 1945, kur po dërgohej në këtë front, e pagëzuan Br. VII-S Shqiptare.)
Në përbërje të formacioneve luftarake të Kosovës, që u nisën në drejtim të Veriut të Jugosllavisë u radhitën 20.000 luftëtarë shqiptarë.5
Disa burime të shkruara pohojnë se ky numër shkon deri në 30.000 shqiptarë.
3.- Në Kosovë, pas ripushtimit jugosllav të saj (8 shkurt 1945), sipas Savo Drejleviç, u dislokuan D. XLVI Serb, D. LII, Grupi Operativ i Brigadave (e para e Bokës, e gjashta malazeze, dy brigada të Kosmetit), Br. e KNOJ-it, e kohëpaskohe D. XXIV, D. XLI, D. L Maqedonas etj.
Këto formacione luftarake kapnin shifrën mbi 40.000 luftëtarë, të cilat ushtruan spastrim etnik e genocide në Kosovë, duke e pasë Kosovën të zbazur nga çlirimtarët e saj (!)
Në asnjë shtet të Koalicionit Antifashit Botëror nuk ka ndodh kështu, si në rastin e Kosovës, që kolabracionizmi i udhëheqjeve të Jugosllavisë e Shqipërisë, të largojnë (dëbojnë) 40.000 shqiptarë etnikë e të sjellin mbi 40.000 ushtarakë sllavë si pushtues (!)

II. – Divizionet e UNÇSh shkuan në Kosovën e çliruar.

1.- Kur u formue Divizioni V-S i UNÇSH, më 28 nëntor 1944, Kosova ishte e çliruar, pasi çlirimi i Mitrovicës, më 22 nëntor 1944, ‘’shënon çlirimin e gjithë Kosovës nga pushtuesit nazifashistë’’6.
Kur u formue D. VI-S i UNÇSH, më 18 nëntor 1944, ishte e çliruar kryeqendra e Kosovës, Prizreni (17 nandor 1944) në të njëjtën ditë me Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, ndërsa më 19 nandor 1944 u çlirua edhe Prishtina, kryeqyteti i sotëm i Republikës së Kosovës (prej 17 shkurtit 2008).
2.- Pas fitores së LDB, më 9 maj 1945, forcat partizane të Shqipërisë, D. V-S e VI-S, qëndruan në Kosovë deri në fund të dhjetorit 1945 (!)
Tri brigada të këtij divizioni (Br.III-S, V-S e XXV-S) ende edhe pas kthimit nga Sanxhaku etj. qëndronuan në Kosovë deri në fund të dhjetorit 1945 (!).
Brigadat e VI-S, VII-S, VIII-S, të inkuadruara në këtë D. VI-S, pasi erdhën nga Mali i Zi e Bosnja, qëndruan katër muaj (mars-qershor 1945) në Kosovë e pastaj, deri në fund të vitit 1945, në Maqedoninë Perëndimore, si në rrethina të Shkupit,Velesit, Manastirit, Ohrit, Strugës etj…
Kjo e përforcon faktin se këto formacione partizane të UNÇSH ndihmuan në rivendosjen përfundimtare të pushtetit sllav mbi këto treva shqiptare, për lënien e Kosovës nën Serbi etj.

III. – Kosova kishte potencialet e duhura vetmbrojtëse të saj.
1.- Nëse në janar 1945 të 9 brigadat e UNÇSH arritën në një efektiv prej 11.000 forca ( Br.XVIII- S e XXVII-S etj. u kthyen në Shqipëri) të 9 brigadat e Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore numëronin 27.0000 luftëtarë (e në disa burime flitet për mbi 30.000), çka i takon deri në tre herë më shumë.
2.- Brigadat partizane të UNÇSH gjatë marshimeve e luftimeve në Kosovë, në Mal të Zi e në Maqedoni i rritën efektivat e tyre nga 20 deri në mbi 30 % (në disa raste thuhet se deri në gjysmën e tyre) me luftëtarë nga këto troje etnike shqiptare. Në botime të ASHSH thuhet : ‘’Gjatë veprimeve luftarake njëmujore në Kosovë, efektivi i Br.V-S arriti në 2.000 veta me partizanë vendas.7 ‘’Gjatë veprimeve në Kosovë efektivi i D.V-S arriti në 6.500 partizanë e partizane’’.8
Atëherë kur Kosova dha luftëtarë për brigadat partizane të Shqipërisë, sa ishte e domosdoshme gjithë ky skenar forcash në territorin e saj (!)
3.-Vetëm dy brigada: Br. IV–S (VI) Shqiptare në Maqedoninë Perëndimore e Br. VII e Kosovë-Rrafshi i Dukagjinit në fund të dhjetorit 1944 kishin respektivisht 5000 e 7500 luftëtarë. Pra më shumë se dy divizione të UNÇSH, (D. V-S me 6.500 vetë e D.VI–S me 4.000 vetë ) në mars të vitit 1945.
4.- Në rast se 24 brigada të UNÇSH në dhjetor 1944 kishin rreth 30 mijë vetë efektivin e tyre, ato në Kosovë,në Maqedoni e në Kosovën Lindore në janar 1945 arrinin në rreth 27 mijë vetë.9
Kosova kishte aq forca luftarake sa të siguronin vetëmbrojtjen e çlirimin e saj, siç ndodhi realisht, që më 22 nëntor 1944 ishte krejtësisht e lirë, kur hynë divizionet e UNÇSH në nëntor – dhjetor 1944.
5.- Askund historigrafia serbe, maqedonase e malazeze nuk e dokumenton se këto brigada të Kosovës bënë luftë sulmuese e pushtuese ndaj të tjerëve, ndaj fqinjëve të saj më të afërt si Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë etj. përkundrazi mbrojtën Kosovën, vetëveten.
Atëherë pse ishin të nevojshme “ftesat” e Jugosllavisë e shkuarja e forcave të UNÇSH në Kosovë?!
Në fakt me shkuarjen e brigadave e divizioneve të UNÇSH, Kosova e viset e tjera etnike shqiptare u ndodhën në mes të disa zjarreve: nga njëra anë forcat e UNÇJ e nga ana tjetër forcat e UNÇSH, që, këto të fundit, në këto treva etnike shqiptare, bënë edhe “luftë civile ndërshqiptare” (!) si në Drenicë, etj. Njëherash, Kosovës martire i duhet të luftonte edhe kundër gjermanëve në ikje dhe të kontribuonte në të gjitha shtetet e sotme të Ballkanit Perëndimor.

IV. – Jugosllavia e Titos i vetpërzgjodhi nga ana strategjike e politike brigadat partizane të UNÇSh që shkuan në Kosovë…

1.- Nuk u pranuan brigada partizane shqiptare, veçanarisht nga Shqipëria e Veriut e kryesisht përgjatë kufinit shtetëror (nga Qarku i Shkodrës, Kukësit, Dibrës e Korçës), pasi këto zona ishin në konflikt të përgjakshëm ndër shekuj me sllavët (si edhe pjesa jugore me grekët) dhe me lidhje të forta gjaku si martesa etj. dhe marrëdhënie ekonomiko-tregtare më të ngushta.
Në Kosovë shkuan ato brigada që janë krijuar në pjesët e brendshme e jugore të Shqipërisë, që dhanë prova në luftën civile e kuadrot e tyre dëshmuan vasalitet ndaj emisarëve sllavë etj. Brigadat e dy divizioneve të UNÇSh ishin krijuar: Br. III-S në fshatin Arbanë të Tiranës (9 tetor 1943), Br.V-S në Bramyshnje të Tërboçit të Vlorës (20.01.1944) Br. VI-S në qytetin e Përmetit (26.01.1944), Br. VII-S në Vlushë të Skraparit (17.03.1944), Br.VIII-S në Shepër të Zagorisë në Gjirokastër (25.04.1944) e Br.XII-S në Sukë të Përmetit (20.05.1944).
I vetmi “përjashtim” në këto dy divizione (V-S e VI-S të UNÇSh) është Br. XXV- S, ngritë në Astë të Tropojës më 6 nëntor 1944, e cila u dislokua në Gjakovë më 28 nëntor 1944 e të nesërmen e nisën në një marshim dy ditor, 80 km të gjatë, deri në Ferizaj (Kosovë) në ndihmë të Br.II Jugosllave. Pastaj, në një tjetër marshim deri në Sanxhak dhe në Bosnjën Jugore , ku në kushtet e një dimri të ashpër e vështirësi të tjera zhvilloi luftime të pandërprera përkrah Korpusit II të UNÇJ etj. Në maj të vitit 1945 në Mitrovicë të Kosovës u shpërnda në përberje të tri brigadave të UNÇSH : Br. V – S , Br.VI – S, Br.XXII-S.
Disa brigade të tjera të UNÇSH si Br. XVIII-S, formuar më 18 gusht 1944 në Sllatinë të Peshkopisë, i kapërceu kufinjtë e Shqipërisë Londineze vetëm rreth tre muaj (2 shtator- 18 nëntor 1944 ) në zonat Dibër e Madhe ,Kërçovë e Prizren gjersa u kthye në Kukës. Br.XXVII – S, inagurue në qytetin e Shkodrës , më 29 nandor 1944, një ditë pas çlirimit të Shqipërisë , u nis më 30 nandor 1944 për të çliruar Tivarin e tanë krahinën e Krajës e brenda javës, më 5 dhjetor 1944, e kthyen në Shkodër.
2.- Në rast se Lufta NÇL ishte me të vërtetë kaq internacionaliste pse nuk u dërguan brigada partizane shqiptare nga Veriu i Shqipërisë për në Greqi si në Çamëri etj. (?!).
3.- Strategjia e Titos dhe e emisarëve të tij , D. Mugosha e M. Popoviç, ishte e tillë: të përgaditej terreni me brigadat partizane në jug e pjesë të brendshme atdhetare të Shqipërisë, që këto, nga Veriu i Shqipërisë, të hidheshin në Kosovë, në Maqedoni e në Malin e Zi(!).

V.- Këto brigada e divizione të UNÇSH në harkun kohor tetor 1944- dhjetor 1945 i shkaktuan Kosovës më shumë humbje në njerëz e materiale se sa vet fashizmi italian e nazizmi gjerman në vitet 1941-1944. (!).
1.- UNÇ e Jugosllavisë nuk u fut në luftime kundër gjermanëve në Kosovë, vetëm kur këta po tërhiqeshin në mënyrë të organizuar nga Ballkani, vetëm kur hynë edhe formacionet luftarake të UNÇSh.
Strategjia e tyre e bashkrenduar deri në tradhti me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSh, me shtabet e D. V-S e VI-S e shtabet e brigadave të UNÇSh e ndhmuan UNÇJ të hynte në Kosovë e treva të tjera shqiptare e të vendoste pushtetin administrativ e ushtarak.
2.- UNÇSH ndihmoi në luftën kundër forcave gjermane në Kosovë, si në tetor – nëntor 1945 brigadat partizane të UNÇSH krijuan një emër të mire në luftimet kundër forcave gjermane në ikje si Br. XXIII-S e Br. XXIV-S në rrugën nacionale Kukës-Prizren (31.10 e 07.11.1944 ), Br. V-S e UNÇSH me Br.IV-S Kosovare ( 10.11.1944 ) , Br. V – S e Br. XVII –S të UNÇSH ne çlirimin e Prizrenit (17.11.1944), Br.III-S e UNÇSH e Br. I Kosovare dhe me atë V-S të UNÇSH në Junik etj,
Në dhjetor 1944 nisën bashkrendimi i veprimeve luftarake të UNÇSh me formacionet e UNÇJ si ato të Serbisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë etj.
Partizanët e partizanet shqiptare të UNÇSh, në disa beteja në Kosovë apo në luftimet në Sanxhak, në Mal të Zi e në Bosnje, për të luftuar gjermanët në ikje e çlirimin e këtyre zonave, përballuan sakrifica të mëdha, treguan akte trimërie , derdhën gjak e morën plagë etj. Vetëm në betejën e Vishegradit nga D.VI-S u vranë 31 partizanë dhe u plagosën 61 të tjerë.
Këto kontribute i ka propoganduar rregjimi komunst gjatë ekzistencës së tij, për to ka dëshmuar historiografia shqiptare, por ende mbeten të pazbardhura tradhtia e pashembullt ndaj Kosovës e Çështjes Kombtare Shqiptare e lufta civile në Shqipëri e në Kosovë. Përgjegjësia historike e udhëheqjes komuniste shqiptare është e pashmangshme se në vitet 1943-1945 kishte një qeveri komuniste të dalë nga Kongresi i Përmetit më 24 maj 1944 e në një Shqipëri të çliruar nga fashizmi e nazizmi pas 28 nëntorit 1944.

VI. – Të gjitha brigadat e Kosovës që u dërguan në territore të Serbisë, Bosnjës, etj. sllavët i shkatërruan nga struktura organizative e përbërje etnike shqiptare e u kthyen me forca luftarake deri të përgjysmuara.
1.- Brigada IV, VI, VII e VIII të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit dhe Br. IV (VI) S Shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, gjatë rrugëtimit luftarak në territore të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë e Sllovenisë, disa herë patën “riorganizime” duke i copëzuar e shpërndarë në njësi të Armatës Jugosllave, duke ua zëvendsuar me sllavë shtabet drejtuese shqiptare të tyre, etj.
Br.VII e Kosovës, e krijuar më 14 nandor 1944 në Gjakovë, e dislokuar në Podujevë, ma e madhja brigadë partizane shqiptare në Kosovë, me komandant Shaban Haxhinë, më 21-24 janar 1945 u nis për në Veri të Jugosllavisë (Podujevë- Kurshumbli). Gjatë rrugës, Shaban Polluzha, me të marrë vesh se repartet terroriste jugosllave po ushtronin genocid mbi popullsinë e Drenicës, kundërshtoi urdhërin e marshimit për në Srem dhe u kthye në Drenicë.
Kështu, Br.VII e Kosovës u nda në dy pjesë: në Brigadën e Drenicës (Shaban Polluzhës) që qëndroi në Kosovë për të mbrojtë Drenicën martire e Brig.VII e Kosovës që po marshonte në këmbë drejt Sremit. Në Kovin u krye copëtimi tjetër i kësaj brigade, gjoja për ‘’riorganizim’’ u shpërnda në njësi të ndryshme jugosllave : në Br. XVI Myslimane, që shkuan në Malin e Romanisë e pjesa tjetër në drejtim të Zagrebit. Në Bonat (maj 1945) shtabin shqiptar të kësaj brigade të mbetur e kthyen në Kosovë dhe vazhduan ‘’riorganizimin ‘’ e saj duke e ricoptuar në njësitë jugosllave të Armatës I, II, IV që luftuan në Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe në Malin e Zi e në Serbi deri në qershor 1945.
Komandanti i Br. VII të Kosovës, Shaban Haxhia, dëshmonte: ‘’… Me luftën NÇ kemi humbur shumë kredinë në popullin shqiptar të Kosmetit se u kemi pasë premtue liri, me të drejta vetëvendosje e barazi kombëtare, gjë që këto asnjë nuk u janë dhënë deri më sot….’’10 dhe “…U kthyen pa ushtri në Kosovë. Pyetjet se ku i lamë djemtë tanë, ishin tepër rënduese për ne…..’’11
Br. VI e Kosovës e ngritun më 13 dhjetor 1944 në Mitrovice, me një efektiv prej 3.000 luftëtarësh, më 2 janar 1945 u transportue me tren nga Kosova në Vranjë e prej këtej në Vërshaç të Vojvodinës. Kjo brigadë në Vojvodinë u copëtua në brigadat plotësuese jugosllave: I e III, në rajonet Pançev, Kikind e Vershaç.
Br.VIII e Kosovës, formue më 20 dhjetor 1945 në Rakosh të Istogut (Burim) afër Pejës , me një efektiv prej 4000 luftëtarësh në janar 1945 u nis për në frontin e Sremit e të Triestes,e cila u ‘’riorganizua’’,duke u shpërndarë në disa njësi të Armatës IV Jugosllave.
Br. IV (VI) S Shqiptare në Maqedoninë Perëndimore, me 5.000 luftëtarë nga Shkupi, Tetova, Struga, Kërçova, Dibra e Madhe, Gostivari, Gjilani, Manastiri, Kumanova, Presheva, Bujanoci etj dhe më 7 janar 1945 u nis për në frontin e Sremit. Shtabi kryesor i Maqedonisë i bëri disa ‘’riorganizime’’ të kësaj brigade duke e përgjysmuar efektivin e saj e më pas, e çuan deri në 1.400 vetë , ia larguan kuadrin komandues shqiptar duke i zëvendësuar me elementë sllavë, që u sollën nga Br.VI e Bosnje–Hercegovinës.
2. – Gjithashtu patën edhe një fat tragjik: u nisën të çarmatosur në kolona më keq se të ishin robër lufte, në marshime të gjata e pa bukë dhe në kushtet e një dimri të ëgër, i çuan në frontet më të vështira ( në ballë ,në vende të hapura etj përballë artilerisë gjermane), biles rrugës u sulmuan edhe nga partizanët-çetnikë jugosllavë. Vetëm një shembull: Br.IV (VI) S Shqiptare në Maqedoninë Perëndimore vetëm në luftimet e zhvilluara në gjysmën e dytë të muajit prill 1945 në Pallankë, në Budrovë etj të frontit të Sremit pati mbi 300 të vrare e mbi 500 të plagosur.
3.- Kosova, në nëntor 1943 deri në dhjetor 1944, numëron mbi 47.000 shqiptarë të vrarë, pushkatuar e të zhdukur, si në Masakrën e Drenicës e atë të Tivarit, etj., në frontet e luftës kundër gjermanëve, nga pasojat e luftës civile siç ndodhi mes brigadave të Kosovës e asaj të Shaban Polluzhës, në mes forcave partizane të Shqipërisë e forcave nacionaliste të Kosovës etj.
VII.- Kuadrot drejtuese të brigadave e divizioneve të UNÇSh në Kosovë gjatë viteve 1944 – 1945 arritën të krijojnë ‘’grupin’’ e tyre në Byronë Politike të KQ të PPSH, të ishin bërthama udhëheqëse e saj, të fshihnin gjurmë e të heshtnin për përgjegjësitë ndaj Kosovës, për Drenicën, Tivarin etj.
Në Byronë Politike të KQ të PPSH, në organin më të plotfuqishëm direktiv, ekzekutiv e legjislativ të kohës së komunizmit enverian, hynë Ramiz Alia, Hysni Kapo, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Kadri Hazbiu, Petrit Dume etj.
Ramiz Alia ishte komisar i D. V-S të UNÇSH një nga kuadrot e Br.VII-S e D.II-S u zgjodh edhe Sekretar i KQ të PPSH (1961) e gjer President i Shqipërisë. Hysni Kapo, komisar i Br.V-S e komisar politik i Korpormatës I të UNÇSH (që u mor me nisjen e brigadave në Kosovë) u zgjodh edhe Sekretar i KQ të PPSH (deri në vdekjen e tij më 1979). Adil Çarçani,zv/komisar politik i Br.VII-S arrit të bëhet edhe Kryetar i KM prej vitit 1982, pas (vet)vrasjes së Mehmet Shehut.
Manush Myftiu,zv/komisar politik i Br. V-S u bë edhe Zv/kryetar i KM, Haki Toska , komisar politik i Br. VI-S , edhe Zv/kryetar i KM, Kadri Hazbiu, kuadër drejtues i Br.V-S edhe Ministër i Brendshëm, Petrit Dume , komandant i Br. XVIII – S u zgjodh kandidat i Byrosë Politike prej vitit 1956 deri më 1975 kur e pushkatuan etj.
Dy brigada që ishin edhe në Kosovë, Br.V-S dhe Br. VI-S të UNÇSH u dekoruan me titullin më të lartë ‘’Hero i Popullit ‘’.
Këta,duke qenë në këto detyra të larta, E. Hoxha, arkitetekti i zbatimit të platformës së Jugosllavisë së Titos, jo veç në Shqipëri, por edhe në Kosovë e trevat e tjera shqiptare, i kishte kurdoherë në shënjestër si vasal të bindur ose për t’i ekzekutuar, pasi në çdo rast apo rrethanë mund t`i përdorte si Tito Rankoviçin.
Në të njëjtin skenar edhe Tito kishte mundësi t`i demaskonte në çdo kohë për krimet në Kosovë, në Maqedoni e në Malin e Zi, prandaj këta nuk e lejuan as historiografinë shqiptare të fliste për tradhtinë ndaj Kosovës, për masakrën e Drenicës dhe të Tivarit etj.

1 1 Të dhënat e përgjithshme e të veçanta për brigadat e divionet e UNÇSH, për brigadat e Kosovë-Fushë Dardani (Koosvë – Metohi ) e ato të Maqedonisë Perëndimore e të Kosovës Lindore janë marrë nga këto burime: Historia e Popullit Shqiptar. Botim i Akademisë së Shkencave të Shqiprisë. (ASHSH) Tiranë, 2002./ FESH (Fjalori Enciklopedik Shqiptar). Tiranë, 1985 (botimi i parë) e 2008 (botimi i dytë). Botime të ASHSH./ Kosova në vështrim enciklopedik. Botim i ASHSH. Tiranë, 1999./ Monografi të brigadave partizane ( Fondet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë)./ Enciklopedia e Jugosllavisë. Botim i ASH të Jugosllavisë e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës (botimi në shqip) . Kroaci, 1984. / etj.
2 AQSH.F.41.V.1944.d.135/1/.
2 2 Të dhënat e përgjithshme e të veçanta për brigadat e divionet e UNÇSH, për brigadat e Kosovë-Fushë Dardani (Koosvë – Metohi ) e ato të Maqedonisë Perëndimore e të Kosovës Lindore janë marrë nga këto burime: Historia e Popullit Shqiptar. Botim i Akademisë së Shkencave të Shqiprisë. (ASHSH) Tiranë, 2002./ FESH (Fjalori Enciklopedik Shqiptar). Tiranë, 1985 (botimi i parë) e 2008 (botimi i dytë). Botime të ASHSH./ Kosova në vështrim enciklopedik. Botim i ASHSH. Tiranë, 1999./ Monografi të brigadave partizane ( Fondet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë)./ Enciklopedia e Jugosllavisë. Botim i ASH të Jugosllavisë e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës (botimi në shqip) . Kroaci, 1984. / etj.
2 AQSH.F.41.V.1944.d.135/1/.
3 Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.V.II . f.160 – 161.
*Nuk kemi mundur të saktësojmë efektivin e saj, por e kemi marrë me përafërsi mbi 1.000 partizanë e partizane.
4 FESH, v. 2008. f.108
5 FESH,2008 f.1558.
6 Kosova në vështrim enciklopedik.Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Qendra e Enciklopedisë Shqiptare).Tiranë,1999, f 117.
7 FESH,2008,f.300
8 Po aty.f.492
9 Br. I mbi 2.200 luftëtare,II mbi 1600 , III rreth 500,IV ( vi ) –S Shqiptarë në Maqedoninë Perëndimore 5.000,V-1800, VI rreth 3000, VII mbi 7.500 ( flitet edhe per 15.600 ) VIII rreth 4000 dhe Brigada e Drenicës rreh 1000 luftëtarë (thuhet se ka rritë deri në 3-4 mijë forca)
10 Arkivi i MJ.Dosje 2002.Cituar nga monografia e Uran Butkes ‘’Lufta Civile në Shqipëri’’ (1943-1945) .f.578.
11 Monografia ‘’ Kosova’’Nr 9-10.Prishtinë,1980.f.505.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...