Published On: 2 Nëntor, 2016

Acarohen marrëdhëniet, Athina thërret ambasadorin shqiptar: Të ulen tonet, kanë qasje agresive

Pas zhurmës së krijuar në media nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama, se Akropoli u shpëtua prej një shqiptari, por edhe përplasjeve me tone të larta mes Athinës dhe Tiranës për situatën në Himarë, Ministria e Jashtme greke ka thirrur për sqarim ambasadorin shqiptar, Dashnor Dervishi.

Dervishit i janë kërkuar shpjegime lidhur me këto deklarata. Ende nuk dihen tonet e bisedimeve, por burime në Ministrinë e Jashtme helene thonë se pala greke ka ngritur shqetësimin e saj jo vetëm për tonet jo diplomatike të kryeministrit Rama, por edhe për deklaratën e Ministrisë së Jashtme shqiptare, e cila sipas Athinës përmbante një qasje agresive që nuk i shërben uljes së tensioneve.

Burimet thanë se edhe ambasadori shqiptar ka tërhequr vëmendjen e Athinës për qëndrimin e Ministrisë së Jashtme greke, që për palën shqiptare konsiderohet si ndërhyrje flagrante dhe pa takt në çështje të brendshme të Shqipërisë.

Gjithësesi, të dyja palët ranë dakord se ulja e toneve konsiderohet si emergjente, pa qenë i nevojshëm përshkallëzimi në drejtim negativ i marrëdhënieve dypalëshe.

Dakordësia mbi çështjet me interes të përbashkët duhet të dominojë mbi deklaratat emocionale, kanë pohuar njëzëri palët gjatë takimit në Ministrinë e Jashtme greke.

Ndërkohë, në Athinë kanë qenë partitë politike të opozitës që kanë kërkuar mbledhjen me urgjencë të Këshillit të Lartë të Politikës së Jashtme lidhur me deklaratat e kryeministrit Rama, por edhe për unifikimin e politikës greke në mbrojtje të minoritetit grek të Himarës.

Disa deputetë, me në krye ish-ministren e Jashtme Dora Bakojanis, kanë kërkuar marrjen e masave drastike për të penguar ekspansionin e qeverisë Rama në marrëdhëniet dypalëshe.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...