Published On: 28 Nëntor, 2016

28 nëntor. Pse nuk jemi të Pamvarur?

Nga: Artur Zheji28 Nëntor 2016, 17:55

Në periudhën e rregjimit komunist, festës së 28 Nëntorit i jepej një rëndësi, e dorës së dytë, sepse thuhej që Pamvarsia dhe Çlirimi i vërtetë i Shqipërisë erdhi për popullin dhe atdheun më 29 Nëntor.

 Domethënë kur diktatura erdhi në pushtet dhe kur, simbas historianëve të saj, u largua dhe gjermani i fundit nga Shqipëria.
Fëmijëria dhe rinia ime e hershme, është e mbushur me përgatitjet e posacme festive, kryesisht të natyrës së paradave ushtarake dhe mobilizimit të përgjithshëm. Por për ne, paradat dhe fishekzjarrët e 29 nëntorit që përgatiste sistemi, ishin një trokitje për festat e Vitit të Ri, që mbeti festa më e dashur e familjeve shqiptare.

Të këputura ose më pak të këputura, Viti i Ri shtonte pak ngjyra dhe fantazi, në të përgjithshmen Gri, të asaj kohe të errët frike, varfërie dhe ankthi popullor.

Ndoshta është shumë personale, por 28 nëntorin ne shqiptarët ende nuk e kemi kthyer në një traditë të popullit, por thjesht në një sistem qokash të politikanëve që janë në pushtet. Krejt ndryshe nga Indipendence Day përshembull, ditë kur amerikanët, vetë stolisen me miliona flamuj dhe e kanë, më të shumtën, një gëzim të sinqertë të krenarisë së tyre.

Dhe kjo ndoshta vjen se shqiptarët, të paktën ata që jetojnë në Shqipëri, nuk ndjehen të Pamvarur.

Në 104 vite Pamvarsi të cunguar territorial, nuk kanë përjetuar akoma asnjë periudhë të vetme të një Gëzimi Kombëtar.

Të ndjehen të sigurtë dhe vetvetja në rrugët plot aksidente, në punën e pasigurtë, në shtëpi ku ikën befas drita dhe uji, në spitalet që herë të shpëtojnë dhe herë të vrasin, në marrëdhënien e tyre me shtetin dhe pushtetin, marrëdhënie gjithmonë e pasigurtë.
Para ca ditësh u dhunua godina historike e qytetit të Manastirit, dikur në vitin 1908 një qytet 95% shqiptar.

Nëse Gjuha Shqipe që flasim sot, është kjo që është, kjo u vendos në atë qytet dhe në atë Godinë Historike, në një Kongres të pashlyeshëm, që është në historinë tonë një kthesë vendimtare që prodhoi identitetin gjuhësor që kemi sot.
Jemi ne një shtet kaq i varfër sat ë mos kemi aq para e ta blejmë atë godinë private. Ta restaurojmë dhe ta ruajmë dhe ta mbrojmë? Cilit Kryeministër i ka shkuar mendja për këtë?

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka zhvilluar të paktën 25 apo 30, Beteja të shënuara Historike, kundër Ushtrisë më të madhe të asaj kohe. Në territorin e sotëm shqiptar dhe jashtë tij. Torviolli, Vajkali, Berati, Albulena…

Që janë një Gur Themeli përcaktues të orientimit perëndimor që Shqipëria ka sot.
Më thoni ku ka një tabelë, një ngrehinë monumentale apo një vepër arti, që të ngrihet mbi vendin e saktë të përcaktuar nga historianët, që të përjetësojnë Betejat e Gjergj Kastriotit? Cilit Kryeministër i ka shkuar mendja dhe është harxhuar për këtë?

Në 26 vitet post komuniste të zhvatjes kolosale të pasurisë shtetërore, asnjë qeveri nuk ka shpenzuar 5 grosh për të ngritur një muzeum historik nga e para, me një koncept të ri, dhe me një dashuri të re, për një histori moderne dhe të lirë nga dogma komuniste.

Sepse në këto 26 vite ka mbizoteruar vetëm një Mith dhe vetëm Një: Paraja!

Dhe janë shitur e këmbyer për këtë, Interesa Kombëtare, vlera të pallogaritshme të mbitokës dhe nëntokës shqiptare. Dhe autoriteti ligjor mbi truallin që shqiptarët kanë në zotërim dhe vetvendosin, është shfrytëzuar vecse si një burim fitimi dhe aq.
Janë djegur dhe përvëluar kësisoj, raste të mëdha të zhvillimit dhe të hopit ekonomik të Shqipërisë, e cila sot, mund të ishte një Shqipëri

Tjetër, realisht dinjitoze, e pasur dhe krenare për vetveten.

Por në një vend, ku akoma dëshërojnë të largohen pa kthyer kokën pas, me qindra e mijëra shqiptarë autoktonë, festimi i 28 Nëntorit, do të mbetet mjerisht për shumë kohë akoma, një hipokrizi qeveritare, apo një ritual qokash kalendarike.

Dhe ndoshta vetëm fare pak romantikë do të ngrenë të pakët, diku ndonjë dolli të trishtuar, me urimin që Pamvarsia e Shqiptarëve, duhet ende të vijë, sepse ka mbetur rrugëve./360grade

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...