Published On: 9 Nëntor, 2016

101 Dokumente të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, të klasifikuara “Tepër Sekret”

 

  • kadare.fullan2
  • Dorëshkrimi sekret i vitit 1973/ Diskutimi i Dhimitër Fullanit: Fadil Paçrami dërgoi në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, vajzën e tij dhe të shoqen e Ismail Kadaresë…?!

  • Nga Dashnor Kaloçi

UET PRESS dhe gazetari e studiuesi i arkivave, Dashnor Kaloçi, sjellin botimin më të ri “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Ëndrrave”

101 dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-se, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike të K.Q.të PPSH-së, me analiza, kritika, propozime, dëshmi,informacione,raporte,relacione,letra,akuza, spiunime e denoncime ndaj shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, të gjitha të papublikuara më parë…?!

Libri do përkthehet dhe do botohet së shpejti në Angli dhe Francë, me një parathënie të gjatë të shkrimtarit Ismail Kadare, me botuesin nga Londra.

 “Fadil Paçrami ka bërë një politikë personale të caktuar kuadri edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve. Atij i janë vendosur edhe elementë me të kaluar jo të mirë, e me prirje liberale (Vasil Melo, Gjergj Zheji). U rikthyen në institucionet artistike elementë të degjeneruar si Milto Vako në Opera e Viktor Gjoka në Institutin e Arteve. Këto i ka bërë Fadil Paçrami. Edhe në Shtëpinë Botuese ai çoi vajzën e tij dhe të shoqjen e Ismail Kadaresë”.

Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit i përket periudhës së gjashtëmujorit të parë vitit 1973 dhe bën fjalë për fushatën e sulmeve që ishte ndërmarrë asokohe ndaj Fadil Paçramit e disa të tjerëve si: Dhimitër Shuteriqi, Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, Ibrahim Uruçi, kryeredaktori i gazetës “Drita”, Koço Vasili, drejtorit i Teatrit të Operas dhe Baletit, etj, të cilët konsiderohehshin e akuzoheshin si bashkëpunëtorë të ngushtë të tij. Dokumenti në fjalë që është shkruar me shkrim dore, nuk ka as datë dhe as firmë në fund të raportit, se nga kush është hartuar, por nisur nga fakti se ai ndodhet në dosjen voluminoze, ku janë të gjitha raportet, informacionet, diskutimet, letrat, relacionet etj etj, që flasin për problemin e Fadil Paçramit, ai duhet të jetë shkruar nga ndonjë prej instruktorëve apo të deleguarve të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së. I cili ka marrë pjesë në mbledhjet e organizatave bazë të ndryshme, të institucioneve kulturore e artistike të Tiranës, ku është diskutuar dhe janë ngritur probleme për Fadil Paçramin, gjë e cila është e shkruar edhe në fillim të dokumentit: “Problemet që u ngritën për shokun Fadil Paçrami gjatë diskutimit të fjalimit të shokut Enver të 15 marsit”. Nisur nga fakti se në dokument shkruhet ‘shoku Fadil Paçrami’ ai duhet të jetë i fund marsit të atij viti, (15 mars 1973, pak kohë pas fjalës së Enver Hoxhës në mbledhjen e aparatit të Presidiumit të Kuvendit Popullor), ku sapo kishte filluar fushata e sulmeve ndaj Fadil Paçramit dhe ai ende nuk ishte shpallur ‘armik’!? Nga sa vihet re në diskutimet që janë bërë në mbledhjet e organizatave bazë të partisë, me interes është ajo e Ndërmarrjes së Botimeve “Naim Frashëri”, ku drejtori i saj, Dhimitër Fullani, në fjalën e tij, mes të tjerash është shprehur: “Fadil Paçrami ka bërë një politikë personale të caktuar kuadri edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve. Aty janë vendosur edhe elementë me të kaluar jo të mirë, e me prirje liberale (Vasil Melo, Gjergj Zheji). U rikthyen në institucionet artistike elementë të degjeneruar si Milto Vako në Opera e Viktor Gjoka në Institutin e Arteve. Këto i ka bërë Fadil Paçrami. Edhe në Shtëpinë Botuese ai çoi vajzën e tij dhe të shoqjen e Ismail Kadaresë”. Dhe nga sa shihet në fjalën e tij, ai lë të nënkuptohet, se Kadaretë, (Ismaili dhe Elena), janë miqë të ngushtë të Fadil Paçramit, gjë e cila në disa mbledhje të tjera, është thënë hapur. Si p. sh. te diskutimi i Dritëro Agollit, (shih-dokumentin…), ku mes të tjerash shprehet: “Fadil Paçrami dhe Ismail Kadare morën në organet e shtypit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (“Drita” e “Nentori”), ata që ju kishin bëra lajka dhe kishin shkruar mirë për ta…”?! Pra, diskutimi i Dhimitër Fullanit, duket se ka qenë sinkron me ato që janë thënë nga Dritëro Agolli , apo dhe të tjerë emra të njohur e të panjohur, gjatë mbledhjeve të ndryshme kur po ‘kryqëzohej’ Fadil Paçrami…?!

Problemet që u ngritën për shokun Fadil Paçrami gjatë diskutimit të fjalimit të shokut Enver të 15 marsit.

  1. Në mbledhjen e organizatës bazë të partisë së Ndërmarrjes së Botimeve “Naim Frashëri”

Shoku Alqi Kristo: Tha se Fadil Paçrami ka qenë i mendimit se botimet e ndërrmarrjes janë jashtë binarëve, se nxjerrim libra por asnjë s’bën (është fjala për botimet tona, jo për përkthimet).

Para ca kohësh është propozuar heqja e shefave të redaksive. Tani e kuptoj tha shoku Alqi, se kjo e dobësonte kontrollin e pushtetit mbi botimet. (Bëhesh aluzion se këtë variant do ta ketë propozuar shoku Fadil Paçrami)

Shoku Ali Abdihoxha.Tha se “kisha kuptuar disa devijime në letërsi dhe në kritikë, por më mungoi guximi. Ishte një luftë e pabarabartë të kundërshtoje shokun Fadil Paçrami e Dhimitër Shuteriqi. Ne jemi larguar pak nga fryma e Luftës Nacional-Çlirimtare. Në këtë lëkundje të influencave ka luajtur rol dhe mosbesimi dhe lufta që bënte Lidhja e Shkrimtarëve e Fadili ndaj institucionit tonë, e duke e cilësuar si konservator.

Kam përshtypjen sikur flitet se Fadili ka patur bashkëpunëtorë Ibrahim Uruçin, Koço Vasilin e ndonjë tjetër. Kjo nuk është e saktë. Bashkëpunëtorët kryesorë duhen kërkuar me punonjësit kryesorë të Lidhjes Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqi dhe Vilson Kilica. Ndërsa kundërshtime të tyre ndaj pikëpamjeve të Fadilit, s’kam konstatuar. Një vit zgjati diskutimi për heroin pozitiv, i cili linte përshtypjen sikur realizmi socialist është konservator. Shoku Fadil, ka ardhur tek ne në 1968-1969, në mbledhjen e komunistëve e na kritikoi se s’përkrahim novatoren.

Shoku Dhimitër Fullani. Në vitin 1968 Fadili erdhi në një mbledhje të organizatës bazë me një jehonë kontestuese: ai erdhi të na imponohet me emrin e Partisë, duke na kritikuar se ne nuk kishim ditur të stimulonim veprat novatore, po ju dhamë vënd veprave konservatore, më bëri presion. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve e ka konsideruar modernen më fort si një novacion që duhet të merret vetëm me bazën materiale dhe me aprovimin e lejeve krijuese, duke pretenduar se asaj nuk i takon të merrej me përmbajtjen, por më shumë me vënien në skenë të veprave, me diskutimin, botimin, apo ekranizmin. Ky ishte një mendim i shprehur dhe i ushqyer nga Fadil Paçrami dhe në praktikë e ka mbështetur edhe Dhimitër Shuteriqi. Teza e Fadilit dhe Ibrahim Uruçit, ishte se në krijimtarinë dramaturgjike nuk ka probleme, dhe kjo bëhej me qëllim apriori të shmangeshin kritikave eventuale që mund të bëheshin për krijimtarinë e tyre personale. Ata u përpoqën të spostonin vëmendjen tonë krejt në vënien në skenë të pjesëve, duke trumbetuar se kolektivat e teatrit nuk kanë të drejtë të censurojnë “të drejtën e autorit”, por detyrë të vinin ata në skenë, ashtu siç i kishte shkruar autori pa ndryshuar asnjë presje (shprehje e Fadil Paçramit). Është propozuar që të ngrihesh e krijohesh shoqata e Artistëve po ashtu dhe Dega e Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tiranës.

Kjo s’u bë se Fadil Paçrami nuk do të kishte mundësi kështu të drejtonte në fakt gjithë Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve. Fadil Paçrami ka bërë një politikë personale të caktuar kuadri edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve. Atij i janë vendosur edhe elementë me të kaluar jo të mirë, e me prirje liberale (Vasil Melo, Gjergj Zheji). U rikthyen në institucionet artistike elementë të degjeneruar si Milto Vako në Opera e Viktor Gjoka në Institutin e Arteve. Këto i ka bërë Fadil Paçrami. Edhe në Shtëpinë Botuese ai çoi vajzën e tij dhe të shoqen e Ismail Kadaresë.

Fadil Paçrami si sekretar i Tiranës, ka drejtuar direkt Lidhjen e Shkrimtarëve dhe me metoda direkte e kontrollonte, duke krijuar opinione poshtë e lartë nëpër korridore, në kafene dhe në klubin e Lidhjes, së bashku me pasuesit e tij ka bërë një punë përçarëse e denigruese në fushën e letërsisë e të artit.

Në mbledhjen e organizatës bazë të Televizionit

Për Fadil Paçramin, u tha se ai s’ka ndikuar për keq në Radio-Televizion por, dy herë ka qenë për çështjen e Klimi Misjes dhe të Emin Klosit, dhe në vend që të ndihmonte, e ka çorientuar organizatën. Shoku Fadil disa herë i është drejtuar shokut Klimi “Më mbytët me folklor, me muzikë popullore e me marshe”, duke shprehur mendimin e tij për zgjerimin e programeve muzikore të Radios me muzikë të lehtë të huaj. Ai haptazi i ka thënë Klimit se “Nuk jam dakord me atë rregull dhe disiplinë që kërkoni nga punonjësit tuaj “. Ai ka qenë shprehur kundër iniciativës së gazetës “Bashkimi” për heqjen e honorareve të gazetarëve, duke thënë: “Jemi nxituar me përkrahjen e kësaj iniciative. Se jo çdo gjë duhet pranuar si revolucionare. Gazetarët tanë nuk kanë arritur akoma atë shkallë ndërgjegje që të mos marrin honoraret për shkrimet e tyre”.

Në mbledhjen e organizatës bazë të Ministrisë së Arsimit e Kulturës

Në raportin e Byrosë thuhej: “Ne hedhim poshtë me përbuzje qëndrimin jo në frymë Partie të Fadil Paçramit që nuk ka guximin të bëjë autokritikë dhe përpiqet ti shmanget përgjegjësisë të rëndë që ka pasur, dëmet që i ka sjellë Partisë me qëndrimin e tij liberal. Koço Vasili nuk e përfillte fare ministrinë, por bënte çfarë i thoshte Fadili, i cili kishte marrë një pozicion të gabuar ndaj ministrisë. Fadili kishte kultivuar tek ai ose edhe tek ndonjë drejtues tjetër institucioni kulturor dhe artistik “Super-kompetenca”, që donte të thoshte vartësi direkte prej tij dhe spostim të vartësisë nga Partia dhe ministria. Fadili me këto ka abuzuar me postin e tij si sekretar i Komitetit të Partisë për Tiranën dhe në vend që të ndihmojë dhe bashkëpunojë me organet e diktaturës, siç është ministria për të ndrequr të metat dhe gabimet shqetësuese që viheshin re, në të vërtetë i ka ushqyer ato gabime me konceptet e tij liberale e jo në rrugë të Partisë. Fadili ka bërë një politikë kuadri personale, me preferenca ose me dërgime kuadrosh sipas rastit, që shkonin apo nuk ju shkonin me oreksin e tij. Ai është përpjekur ta spostojë ministrinë nga roli, ndihma dhe përgjegjësia e saj për situatën dhe jetën kulturore e artistike në Tiranë, duke e quajtur edhe inkompetente dhe konservatore. Dokumentet e Partisë për artin e kulturën dhe dalë ngadalë me durim ata kanë fituar një kurs të ri të cilin shkon shumë larg.

Shumë janë fryrë teoria e proporcioneve arsim-kulturë, që është një teori që s’ qëndron në këmbë, siç tregon praktika me gjithë gjynahet që kemi në këtë drejtim, tani kuptojmë se qëllimi kryesor ish të ngulitej nga Fadil Paçrami etj. Aftësia e shtetit tonë që s’mendon për këto, që të dalë ky gjoja si mbrojtës i letrarëve dhe artistëve dhe për ta diskretituar shtetin sa s’bën më në këtë drejtim. Shumë mendime ekstravagante jashtë mundësive reale të shtetit tonë, që s’mendon për këto etj. Fajtor bënte qeverinë që s’punon sa duhet për këto dhe sikur të vinte Fadili në fund, do të vinte “parajsa”. Tani del qartë se kundra kujt i kishte ky këto. Shoku Fadil ka dashur të minimizojë rolin e shtetit në drejtimin e artit e kulturës, të mohojë institucionet artistike nga krijimtaria, teatrin nga drama, ekzekutimin nga kopjimi, për të çuar në rrugë më të lehtë çdo lloj krijimtarie dhe është kundër censurës të organeve të diktaturës. Ai me këlyshët e tij, është për të hequr kuadrot e Partisë nga drejtimi i teatrove, për vendosjen e specialistëve në këto sektorë etj. Dhe për Tiranën, kuadrot, i ka vendosur sipas orekseve të tij.

 

 

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...